Një shifër prej 3 milion e 935 mijë euro, dyshohet se është ofruar nga segmente të ndryshme kriminale tek Nuredin Dumani, me qëllim ekzekutimin e kundërshtarëve të tyre.
Kjo shifër financiare ka dalë përgjatë 9 muajve hetime që tre prokurorë të SPAK, kanë kryer gjatë kësaj kohe. “…vlera e ofertës, mund të jetë edhe më e madhe se kaq, duke llogaritur vrasjen me pagesë të Regis Runaj, i ekzekutuar me urdhër të Erjon Alibej në Elbasan”- tha një burim pranë Prokurorisë së Posacme por duke shtuar se ende nuk dihet vlera e dhënë për këtë rast. Prokuroria qartëson se pas mbarimit të “punës” janë kryer edhe pagesat.
Ndërsa në disa raste kur atentati ka dështuar, shuma e parave është përgjysmuar ose nuk është dhënë fare. Janë 16 ngjarje kriminale të porositura me vlera financiare që fillojnë nga 20 mijë euro deri në 2 milion euro duke e kthyer Nuredin Dumani, që tashmë ka fituar statusin e bashkëpuntorit të prokurorisë, ndër më kryesorët në ekzekutimet me porosië.
Burimet kanë shtuar se pas marrëveshje ai ia kalonte një pjesë të parave Henrik Hoxhaj, Skerdi Tasit, Eljo Bitrit, Enver Divës etj të cilëve u shpërndante detyrat. Oferta më e lartë e marë nga Nuredin Dumani, sipas dosjes hetimore, është ajo e dhënë nga Mikel Kamami alias “Keli i Kicit”, një shifër prej 2 milion euro me qëllim vrasjen e Erjon Alibej por që nuk u arrit të relizohej.


