Protesta e zhvilluar këtë të martë në Tiranë është zhvendosur para Drejtorisë së Policisë së Tiranës, ku qytetarët kanë vijuar tubimin pas shoqërimit të rreth 20 personave gjatë protestës.
Protestuesit kanë bllokuar aksin rrugor përpara institucionit, duke kërkuar lirimin e personave të shoqëruar nga policia. Ata kanë bërë të ditur se nuk do të hapin rrugën deri në momentin që autoritetet t’u japin një përgjigje për kërkesën e tyre.
“Na sillni çunat, që të lirojmë rrugën”, është thirrja e protestuesve drejtuar autoriteteve.
Situata ka sjellë edhe bllokimin e qarkullimit në rrugën “Myslym Shyri”. Ndërkohë, në zonën para Drejtorisë së Policisë është marrë edhe një kosh mbeturinash, ndërsa protestuesit vijojnë qëndrimin në rrugë.
Policia nuk ka dhënë ende një përgjigje lidhur me kërkesën e protestuesve për lirimin e personave të shoqëruar.


