Gjykata e Krimeve të Rënda ka shtyrë seancën për gjyqtarin e akuzuar për korrupsion, Shkëlqim Miri. Seanca e radhës është parashikuar të mbahet në datën 24 korrik. Shkak për këtë vendim të trupës gjykuese është bërë dorëheqja e gjyqtarit Ardit Mustafaj.
Si arsye të dorëheqjes gjyqtari thotë se ka njohje me të pandehurin Shkëlqim Miri. Sipas tij, gruaja e Shkëlqim Mirit është kushërirë me të. Ndërkohë, kërkesa e dorëheqjes nuk është pranuar nga kryetari i Gjykatës së Tiranës. Ndërsa prokurori i çështjes është shprehur se kërkon kohë që të njihet me këtë zhvillim të ri.
Shkëlqim Miri, gjyqtar i Apelit të Tiranës, u arrestua me urdhër të prokurorisë në nëntor të vitit të kaluar. Ndërsa në kontrollin e ushtruar në banesën e tij, u gjetën 34 milionë lekë të reja. Sipas prokurorisë, gjyqtari i ka ndryshuar akuzën nga vrasje, në plagosje të rëndë me dashje, të akuzuarit Gentjan Doda. Shtetasi i ekstraduar ishte ekstraduar kohë më parë nga Los Anxhelos, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për një vrasje të kryer në Burrel në vitin 1997.