Nga 1 shkurti i 2019-s, zyrat e hipotekës, legalizimeve dhe kthimit të pronave do të bashkohen në një institucion të vetëm, që është Agjencia Shtetërore e Kadastrës.
Paralelisht, qeveria ka dërguar në Kuvend një projektligj që merret me trajtimin e proceseve që lidhen me kthimin e pronave, legalizimin e ndërtimeve pa leje, me tokën e shpërndarë me ligjin 7501, si dhe inventarizimin e pronave shtetërore. Ndërkohë, Agjencia e Kadastrës do të jetë e organizuar në nivel qendror dhe lokal.
“Legjislacioni i ri i përmbledh të gjitha këto procese në një ligj të vetëm. Besoj se i pari që do të mbyllet do të jetë procesi i legalizimeve dhe i fundit në kohë që do të mbyllet është procesi i trajtimit të pronës, sepse vet ligji i trajtimit të pronës e parashikon me afat 10-vjeçar”, tha Artan Lame, kreu i ALUIZNI-t.
Nga viti 1994, Shqiperia rezulton me 4.4 milionë pasuri të paluajtshme, nga të cilat rreth 3.8 milionë janë të regjistruara dhe rreth 600 mijë pasuri të tjera të paregjistruara, por përsëri një pjesë e mirë e pronave rezulton me probleme. “Rezulton që rreth 2.5 milionë e pasurive të regjistruara janë me probleme, që do të thotë minimlaisht duhen azhornuar, përmirësuar. Maksimalisht duhen bërë nga fillimi”, tha më tej Lame.
Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës emërohet dhe shkarkohet nga kryeministri. Fillimisht ky institucion do të ketë mbështetje buxhetore, ndërsa më pas do të kalojë gradualisht me vetëfinancim, duke shfrytëzuar tarifat e shërbimit.
Por lëmshi i prona vijon më tej edhe me 9 mijë praktika ende të patrajtuara nga agjencia aktuale e pronave. Këto dosje qëndrojnë aty prej viti 1993. Nga ana tjetër, kanë kaluar 27 vite nga miratimi i ligjit 7501, por 50 % e tokave të ndara janë ende të paregjistruara.
“438 mijë familje kanë përfituar nga ligji 7501 Aktin e Marrjes së Pronës në Përdorim. Mund t’ju them se 50% e tyre nuk janë regjistruar ende. Nuk mund të ketë më ligje që edhe pas 27 vitesh të mos e kenë mbyllur efektin e tyre”, tha Lame
Për të gjitha këto arsye, agjencia e vetme e pronës që do të krijohet mendohet ti japë zgjidhje ngërçit, i cili do të kërkojë kohë.