Ukraina po kërkon ndihmë të shtetasve të huaj për ta luftuar Rusinë dhe këtë po e përkrah Perëndimi. Për shembull, sekretarja e Jashtme britanike, Liz Truss, tha se ukrainasit po luftonin për lirinë e gjithë Evropës dhe i mbështet bashkëkombësit e saj që duan ta ndihmojnë Ukrainën në front të luftës.
Por, çfarë do të bëjë në këtë rast Kosova, e cila e ndalon me ligj pjesëmarrjen e kosovarëve në luftëra të huaja?
Në përpjekje e sipër për të ndaluar të rinjtë kosovarë që t’u bashkohen grupeve terroriste në Lindje të Mesme, Kosova, në vitin 2015, miratoi një ligj që ndalonte pjesëmarrjen në çfarëdo lufte të huaj.
Tash, ukrainasit po sulmohen nga Rusia në shtetin e tyre, ndërsa Perëndimi është rreshtuar krah Ukrainës pa asnjë kusht. Kosova po përcjell aleatët dhe shembujt e saj perëndimorë – po ashtu pa asnjë kusht. Veçse është e paqartë se çfarë do të bëjë me një kërkesë specifike të Ukrainës për ndihmë të shtetasve të huaj në frontin e luftës.
Në ligjin e miratuar në Kosovë thuhet se “Kushdo që merr pjesë në ushtrinë ose policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake ose parapolicore, në organizimet grupore apo individualisht , në çfarëdo forme të konflikteve të armatosura jashtë territorit të Republikës së Kosovës, dënohet me burgim prej tre (3) deri në pesëmbëdhjetë (15) vite”.
A ka hapësirë për t’u interpretuar kjo dhe çfarë do të bëjë Kuvendi në këtë rast?


