Hoyt Brian Yee ka pasur disa reagime në lidhje me Shqipërinë dhe Ballkanin në tërësi. Disa nga deklarat e tij kanë shkaktuar bujë të madhe në media.
Një rast është ai i zgjedhjeve të 25 qershorit, ku ndërkohë që opozita ishte ngujuar në çadër, Yee ka qenë duke zhvlluar një vizitë në Prishtine nga ku edhe ka bërë thirrje që opozita të futet në zgjedhje duke mos i bllokuar ato.
Yee do të vinte në Shqipëri ku do të mbante takime me krerët e lartë të shtetit si Ilir Meta, Edi Rama, po ashtu edhe me kryetarin e opozitës, Lulëzim Basha.
Zëvendësndihmës sekretari i Shtetit, Hoyt Brian Yee ka deklaruar se Shqipëria duhet të mbajë zgjedhjet e saj në kohën e përcaktuar, dhe shtoi se SHBA-të e nxisin opozitën dhe të gjitha partitë që të marrin pjesë në zgjedhje dhe jo t’i bllokojnë ato.
Yee ka reaguar gjithashtu edhe mbi rastin ish-ministrit të brendshëm të Shqipërisë Saimir Tahiri, ku zëvendës-ndihmës sekretari Amerikan i Shtetit, tha se askush nuk duhet të jete mbi ligjin.
Hoyt Brian Yee ka shprehur kënaqësinë e tij për progresin e Shqipërisë dhe gjithashtu tha se ishte i lumtur që SHBA kishte mundësinë për të dhënë një kontribut në reformat, reformën në gjyqësi, si dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Sipas tij Shqipëria duhet të jetë shembull në luftën kundër korrupsionit.
Një reagim tjetër ka qenë edhe për luftëtarët shqiptarë në Siri, të cilat zyrtari amerikan i ka bërë gjatë një dëgjimi të mbajtur më 29 prill në Komitetin e Kongresit të Shteteve të Bashkuara për Marrëdhënie me Jashtë, mbi Ballkanin Perëndimor
“Ballkani Perëndimor është një burim thelbësor i luftëtarëve të huaj që luftojnë në Siri dhe Irak, veçanërisht kur merret parasysh proporcioni për kokë banori në raport me popullatën”, ka thënë Yee.
Ndërsa ishte duke zhvilluar një vizitë në Kosovë, Yee do të fliste edhe për Ballkanin në tërësi, nga ku ai u shpreh se vendet e Ballkanit Perëndimor nuk do të arrijnë mesataren ekonomike të Bashkimit Evropian as për 30 vjet.
“Prioritet numër një duhet të jetë përparimi ekonomik. Shumica e vendeve të rajonit kanë rritje vjetore prej 3 ose 4%, por edhe me këtë rritje ose edhe me 6% nuk do të arrijnë mesataren e BE-së në tri dekadat e ardhshme”, tha Yee për javoren beogradase “Nin”.
Përsa i përket diskutimeve për ‘Shqipërinë e madhe’, zëvendës ndihmësi i sekretarit të shtetit amerikan, do ti quante ato vetëm retorikë të papërgjegjshme, dhe nuk duhet ti jepej rendësi.
Sipas tij, këto deklarata duhet të konsiderohen në kontekst të fushatave politike dhe se partitë politike dhe liderët në rajon e dijnë se në integrimet evropiane nuk shkohet përmes ndryshimit të kufijve ekzistues.
Hoyt Brian Yee, nuk ka lënë pa kritikuar as Serbinë, sipas të cilit vendet që aspirojnë në BE duhet t’i harmonizojnë marrëdhëniet ndërfqinjësore e jo të ndjekin standarde të dyfishta, duke aluduar në marrëdhëniet Beograd-Prishtinë.
Hoyt Brian Yee dhe senatorë gjatë një seance të nënkomisionit të senatit do të deklaronte se vendet e Ballkanit janë të kërcënuara nga Rusia.
Problemet e brendshme sipas tij, u kanë hapur rrugën kërcënimeve nga Moska, që synon të frenojë përpjekjet e rajonit drejt integrimit euro-atlantik. Zyrtari amerikan vlerësoi edhe progresin e bërë falë mbështetjes amerikane, ku veçoi zbatimin e reformës në drejtësi në Shqipëri.
Përgatiti: AlpeNews.al








