Policia e Lezhës ka bërë të mundur ditën e djeshme sekuestrimin e 335 kg drogë dhe asgjësimin e 468 bimëve narkotike cannabis sattiva.
Droga është zbuluar në fshatin Lalm – Kolsh në Lezhë, ku policia pas sekuestrimit të saj ka vënë në pranga dy persona, si dhe kryetarin e fshatit.
Siç bëhet e ditur nga blutë e Lezhës, në pranga janë vënë Bledar Bunaj, 29 vjeç, dhe Agron Lushi, 32 vjeç, të dy banues fshatin Lalm i Ri – Kolsh në Lezhë.
Gjithashtu , si i dyshuar për këtë ngjarje, është shpallur në kërkim edhe A.P. 38 vjeç, banues në fshatin Lalm – Kolsh në Lezhë.
Në lidhje me këtë rast, u arrestua në flagrancë edhe Bardhok Perdoda, 45 vjeç, banues në fshatin Lalm i Ri – Kolsh në Lezhë, me detyrë Specialist pyjor i fshatit dhe Kryetar i fshatit Lalm në Lezhë për veprat penale ” Shpërdorim detyre” “Moskallzim krimi “.
Gjithashtu, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e Bledar Bunaj, u sekuestruan 80 fara te bimës cannabis sativa.
Në ngarkim të Bledar Bunaj rëndojnë veprat penale “Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike” “Kultivim i bimëve narkotike”.
Ndërsa, për Agron Lushi dhe A.P. veprat penale “Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike” dhe “Kultivim i bimëve narkotike”.


