Lajmi i dhënë në disa media për vjedhjen e municionave dhe armatimeve luftarake në depon ushtarake të Bazës së Pashalimanit, gjë e cila u pranua edhe nga Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, nuk është një ngjarje e panjohur që ndodh për herë të pare! Duke përjashtuar ato të vitit 1997 ku u shpërthyen, u hapën dhe u plaçkitën pjesa më e madhe e reparteve, magazinave dhe e depove ushtarake pothuaj në mbarë vëndin, duke përfshirë këtë edhe Bazën e Pashalimanit, ai repart nga më të rëndësishmit e ushtrisë shqiptare, para dhe pas viteve ’90-të, ka pasur ngjarje të tilla edhe në periudhën e regjimit komunist të Enver Hoxhës. Madje jo vetëm vjedhje armatimesh e municionesh, por edhe djegje të depove të saj.
Dhe këto ngjarje kanë ndodhur në fundin e viteve ’60-të, apo më saktë në fillimin e vjeshtës së vitit 1968, kur regjimi komunist i Tiranës nëpërmjet kryeministrit Mehmet Shehu, nw njw senacw tw jashtwzakonwshme tw Kuvendit Popullor, denoncoi agresionin e armatosur sovjetik ndaj Çekosllavakisë dhe Ushtria Shqiptare thuhej se ishte në kulmin e fuqisë së saj e ishte gati që t’i bënte ballë një sulmi armik apo koalicioni armiqsh, si të Paktit Ushtarak të NATO-s, ashtu dhe Traktatit të Varshavës, dhe të dilte fitimtar mbi ta. Pra në këtë atmosferë kohe, Baza Ushtarako-Detare e Pashalimanit që ishte dhe mbeti krenaria e Ushtrisë Shqiptare, do të bëhej objekt grabitje dhe do t’i vihej zjarri, ngjarje e cila do të alarmonte ushëheqjen e lartë komuniste të asaj kohe. Kjo gjë veç të tjerash bëhet e ditur edhe nga disa dokumente arkivore që mbajnë siglën “Tepër sekret”, ku ndodhet një korrespodencë ndërmjet sekretarit të parë të Komitetit të Partisë së Vlorës, Petro Dodes dhe Ministrit të Punëve të Brendëshme, Kadri Hazbiu e zëvëndësit të tij, Feçor Shehu, që mbante postin e Drejtorit të Sigurimit të Shtetit, të cilët informojnë sekretarin e Komitetit Qëndror të PPSH-së, Hysni Kapon, mbi ngjarjen tejet të rëndë që kishte ndodhur në Pashaliman. Për më shumë se ç’përmban korrespodenca ndërmjet tyre, na njohin dokumentat në fjalë të cilat po i publikojmë të plota ekskluzivisht për gazetën TemA.
PARTIA E PUNES SHQIPERISE
KOMITETI I PARTISE SE RRETHIT Vlorë, më 5.10.1968
VLORE
Nr. 395 Sekret Ekzemplar Nr.1
Lenda: Mbi djegien e depos në Pashaliman
KOMITETIT QENDROR TE P.P.SHQIPERISE
TIRANE
Siç kemi njoftuar më 26.IX.1968 rreth orës 21 e 30 në Pashaliman u dogj një depo ku kishte materiale të ndryshme të NSHN “Perlat Rexhepi” dhe repartit të Marinës Luftarake. Kjo është një ngjarje e rëndë politike mbi të gjitha dhe për arsye të vëndit dhe kohës kur ndodhi, veç kësaj dhe dëmi material është i madh. Me gjithëse nuk dihet akoma me saktësi, u dogjën ose dolën jashtë përdorimit materiale me një vleftë prej rreth 500.000 Lr. Bindja e deritanishme është se kemi të bëjmë më një diversion të shkaktuar nga elementë armiq. Ka dhe një variant tjetër të mundshëm, por jo bindës, ai i djegies me qëllim nga ana e magazinierit dhe furnitorit, të cilët mund të kenë vjedhur dhe kanë shkatuar djegien për të humbur gjurmët dhe që përsëri është veprim armiqësor. Hetimet për të zbuluar shkaqet dhe njerzit që dogjën depon vazhdojnë. Megjithkëtë ne kemi arritur në disa konkluzione ku më kryesoret janë këto:
Ka pasur mungesë të theksuar vigjëlence si nga drejtuesit dhe si nga organizata bazë e Partisë së NSHN-së ashtu dhe nga organizatat e Partisë dhe komanda e repartit ushtarak.
Janë shkelur udhëzimet që kanë të bëjnë me organizimin, funksionimin dhe sistemimin e materilaleve në magazina. Në një kapanon të ndarë me tre depo me kompesatë ose pupulit ishin tre magazina, një e NSHN së dhe dy të repartit ushtarak.
Brenda në depo ishte vendosur një zyrë ku rrinin magazinieret, normistët, furnitorët etj. Në zyrë hynin e dilnin punonjës të ndryshëm dhe dyert e magazinave ishin të pasiguruara. Në këtë zyrë luhej shah, pihej duhan etj.
Nuk ishin marrë masat e duhura nga reparti ushtarak për të pasur në gatishmëri mjetet e ndryshme kundër zjarrit, mbi të gjitha nuk ishte në gatishmëri makina zjarrëfikëse.
Të gjitha këto i kanë lënë mundësi veprimi për elementët armiq. Theksojmë se në bazë gjatë këtyre dy vjetëve të fundit ka pasur edhe tre raste të tjera zjarri, si ai i nëndetëses, në depon e pambukut dhe një zjarr në mol.
Nuk ka pasur kontroll rigoroz mbi njerzit që hyjnë në këto objekte. Në organizatën e Partisë doli, p.sh. se aty vazhdonin të hynin njerëz që kishin punuar më parë në bazë, por që ishin larguar apo përjashtuar më pas dhe figuronin ende në listën që mbahej në post-bllok.
Drejtuesit e NSHN-së megjithese kanë shkuar disa herë në objektin që ishte duke u ndërtuar, nuk kanë ndihmuar dhe të marrin masa për pjesën e tyre për rregullimin e anomalive që ka pasur në objekt.
Drejtuesit e bazës nuk kanë marrë masat e nevojshme të sigurimit për objektet e ndryshme të bazës.
Mbas ngjarjes që ndodhi, u morrën një seri masash të shpejta. U bë mbledhja e Byrosë së Komitetit të Partisë, u morrëm masa për sistemimin dhe rregullimin e depove të tjera të bazës. U bë mbledhje me drejtorët dhe sekretarët e organizatave bazë të Partisë së ndërrmarjeve ekonomike për të nxjerrë mësime nga kjo, për të forcuar vigjëlencën revolucionare dhe për të kontrolluar dhe për të marrë masa serioze dhe të shpejta për anomalitë që mund të kish në ndërrmarjet e tyre. Në NSHN “Perlat Rexhepi” u bë mbledhja e organizatës bazë të Partisë së kantierit të Pashalimanit.Janë marrë masa që depo e djegur të jetë gati jo më vonë se data 10 Tetor. Masa të tilla Partie dhe në rrugë shtetërore janë marrë edhe në repartin ushtarak të bazës.
Mbasi të nxirren edhe disa të dhëna të tjera, nga hetimet e të cilave po vazhdojnë, Byroja e Komitetit të Partisë do ta analizojë në mënyrë të veçantë këtë çështje për të nxjërrë mësimet dhe detyrat e tjera të nevojshme, lidhur kjo dhe me disa raste të tjera të zjarrit që kemi pasur gjatë kohëve të fundit.
Nga ana e Organeve të Drejtësisë deri tani janë arrestuar 3 veta Barjam Barjami, magazinier, Aleko Pango, teknik ndërtimi, si dhe komunisti Sherif Daupaj, normist, i cili u largua i fundit bashkë me Aleks Pangon nga zyra ku kishin pirë cingare dhe ku kishin luajtur shah dhe lanë hapur dritaren e magazinës. Theksojmë se arrestimi i komunistit Sherif Daupaj u bë pa autorizimin e Byrosë së Komitetit të Partisë. Për këtë ju tërhoq vërejtje shokëeve të Degës dhe të Prokurorisë që të respektojnë rigorozisht porositë e Komitetit Qëndror të PPSH-së mbi proçedurat e arrestimit të komunistëve. Përveç këtyre është lejuar të bëhen hetime edhe ndaj anëtarëit të Partisë, Ismet Bajrami, me detyrë furnitor në kantierin e ndërtimit që është kushëri i parë i magaznierit që u arrestuadhe që furnizontëe magazinën që u dogj.
SEKRETARI I I-rë K.P. RRETHIT
PETRO DODE
………………………………………………………………………………………………………………………………………………
MINISTRIA E PUNEVE TE BRENDESHME “TEPER SEKRET”
DREJTORIA E PARE Ekzemplar Nr. 1
Nr. 1915 Prot.
Tiranë, më 4.X.1968
INFORMACION
Mbi zjarrin e shkaktuar në depon e materialeve të ndërtim-montimit dhe materialeve të uzinës së Flotës në Pashaliman
Më datën 26 Shtator 1968 në orën 21 e 53’ ra zjarri në depon e lartë-përmëndur ku u dogjën materiale të ndryshme që ndodheshin në të, të cilat kapin një vleftë mbi 1 milion lekë.
Nga analiza që ju bë në vënd kësaj ngjarje, arrijmë në konkluzion se e ky akt është kryer:
Nga persona armiq me qëllim kundër-revolucionar, duke shfrytëzuar shrregullimet e mëdha që kanë ekzistuar në bazën e Pashalimanit.
Vlen të theksohet se objekti ushtarak, qysh nga Prilli i vitit 1967 kur u shfaq një zjarr në një nëndetëse, ka pasur edhe tre raste të tjera zjarri.
Një person që ndiqet nga Sigurimi në katundin Dukat, para se të digjej kjo depo, ka shprehur dëshirën për një akt të tillë.