Letër Pëllumb Kullës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës
I dashur Pëllumb, sot, pas kaq ditësh mora e-mailin tënd. U gëzova që jeni të gjithë shëndoshë e mirë, dhe sidomos u lumturova që më në fund ju erdhën dritat dhe do të kemi mundësi të komunikojmë regullisht si më parë.
Këtej oqeanit, në katundin tonë, punët shkojnë si jo më mirë. Jo edhe aq sa do të dëshironte udhëheqja, por gjithësesi shumë më mirë se në vitin 1938 .
Nëse të kujtohet, para se ju të mbeteshit pa energji, më kishe drejtuar dhjetra pyetje të cilave nuk mund t’u jap përgjigje vetëm me një e-mail .
Një nga pyetjet e veçanta, për të cilën jo vetëm ti, por të gjithë njerëzit e skenës janë të shqetësuar është pa dyshim se
“Cili do të jetë fati i ndërtesës së Teatrit Kombëtar?“
Shqetësimin tënd e kanë edhe më shumë këtu: përleshen fillozofët, analistët, regjisorët, aktorët, kritikët, përfaqësuesit e shoqërive civile dhe ushtarake, spektatorët… Të gjithë janë përfshirë në një debat të madh .
Ajo që është për t’u habitur, o miku im, është hera e parë që partitë politike nuk janë bërë pjesë e kësaj përleshje. Përkundrazi! Kanë qëndruar aq shumë jashtë loje, saqë populli me të drejtë ka nisur të shqetësohet si mund t’i kemi partitë kaqë moskokëçarëse!
Te vetmit njerëz që mëngjez, drekë, darkë merren me këtë punë në ekranet e televizioneve, apo në shtypin e përditshëm, janë Petrit Vasili, Ylli Manjani, Enkelejd Alibejaj dhe ndonjë tjetër, që nuk kanë asnjë lidhje me partitë politike.
Në të vërtetë, sipas gjykimit tim, po të përjashtojmë Flamur Nokën që zakonisht merakoset për repertorin, palët në konflikt nuk kanë si objekt ecurinë dhe përparimin e teatrit, por NDËRTESËN e Teatrit kombëtar.
Njëra palë është për ta shëmbur, ndërsa pala tjetër është për ta mbajtur.
Një grup tjetër, më i vogël në numur, është dakort që të ndërtohet një Teatër i ri Kombëtar modern për Shqipërinë e së ardhmes, por ….ky i vjetri, kurrsesi të mos shëmbet!
Me fjalë të tjera, këta i japin më shumë rëndësi Muzeut të teatrit se vetë teatrit, a thua sikur është ë pa mundur që brënda ndërtesës së Teatrit të ri, të përfshihet edhe Muzeu!
Debati është ndezur dhe përhapur aq shumë sa nganjëherë të krijohet përshtypja se populli i ynë nuk i ka problem as varfërinë, as taksat, as strehimin, as shkollimin, por “shëmbjen apo rikonstruksionin e asaj ndërtesës prapa ministrive!“
E kam vrarë mendjen shpesh këto ditë si është e mundur që Robert Ndrenikës, Reshat Arbanës, Pëllumb Kullës, Gëzim Kames, Albert Mingës, Artan Imamit, Sotiraq Bratkos, Luftar Pajës dhe shumë të tjerëve që kanë lidhur jetën me veprimtarinë teatrore dhe janë larguar nga skena vetëm ditën kur kanë dalë në pension, t’u dhimbset teatri më pak se Fatos Lubonjës, Andi Bushatit, Përparim Kabos, Artur Zhejit, Artan Fugës, që pragun e Teatrit e kanë kapërcyer vetëm si spektatorë me bileta.
I dashur Pëllumb!
Këto që shkrova më lart nuk janë flakët që mbajnë ndezur konfliktin për Teatrin Kombëtar. Jo!
Një sy i hollë, “shumë i hollë“, pas Teatrit të ri Kombëtar sheh të fshehur korrupsionin e qeverisë. Madje, ata që ngulin këmbë për këtë flasin edhe me shifra .
Kam dëgjuar me veshët e mi, se nga kjo marrëveshje e fshehtë autoritetet qeverisëse, dhe konkretisht Edi Rama me Erion Veliajn, do të përfitojnë mbi dyqint miljon euro!
Nuk janë pak, apo jo? Ata do të lëshojnë mbi letër vetëm nga një firmë dhe do të marrin nga njëqind miljonë sejcili, kurse ti, o lumëmadh, ke shkruar e vënë dhjetra shfaqje në skenë, tani pret sezonin kur ulet çmimi i biletave ajrore për të ardhur në Shqipëri! (Nga njëqind miljon them unë, se Edi mund të marrë edhe më shumë!… Le që ç’më duhet mua, puna e tyre se si i ndajnë!)
Pra, miku im , siç e sheh, rrënjët janë shumë më të thella se sa duken pemët.
Miku i im, ti gjithmonë ke thënë se unë jam më i mënçur se ti. Dhe ke thënë një të vërtetë të qartë si drita e diellit. Dhe që të mos pendohesh për përcaktimin tënd objektiv, po të them se unë kam arritur të depërtoj në thellësi të kësaj historie.
Nuk është fjala as për shëmbje as për ndërtim, as për nostalgji dhe as për korrupsion. Gjetiu fshihet lepuri. Pas kësaj historije qëndron një marrëveshje e heshtur.
Neqoftëse të gjithë kundërshtarët e projektit të Edi Ramës dhe Erion Veliajt janë të bindur se nëpërmjet kësaj afere do të përfitohen miljonat e eurove, përse nuk i lenë ata që të realizojnë pikësynimin e tyre korruptiv?!
Kjo do të bënte që kryeqyteti i Shqipërisë do të fitonte ndërtesën e re dhe madhështore të Teatrit Kombëtar, kurse nga ana tjetër, duke ndjekur logjikën e atyre që i kundërshtojnë, Edi Ramën dhe Erion Veliajn, do t’i kishim të përfunduar në qelitë e burgut!
I mbajnë të dy në një qeli apo i ndajnë, ajo është puna e drejtorisë së burgjeve.
Mirëpo ata kanë angazhuar të gjitha forcat për të kundërtën. Ata duan ta pengojnë me çdo kusht shëmbjen e ndërtesës së teatrit, vetëm e vetëm që Kryeministri dhe Kryetari i Bashkisë të mos fusin dot në xhepa ato dyqind miljonë eurot! Por, ama, kështu ata do t’i shpëtojnë burgut dhe pastaj do t’i kemi mbi krye edhe dhjetra vjetë të tjerë!
Marrëveshje e fshehtë i thënçin, por më e zbuluar se kjo, zor se mund të ketë .
E marr me mend, shumë gjëra kur i sheh nga përtej oqeanit duken paradoksale, por tek shqiptarët mund të hasësh gjëra edhe më të çuditëshme .
Unë i njoh mirë . Para pesë vjetësh kam qenë vetë shqiptar.
Duke përfunduar për sot të uroj gjithë të mirat .
Leka
p.s.
Më doli nga mendja dhe nuk ta shkrova më lart. Dikush solli një dëshmi që mund ta kish sjellë me kohë: përpara se të vdiste regjisori i madh Mihal Luarasi i paske lënë porosi që kjo, ndërtesa që ka sjellë sherrin, të mos shëmbet. Nga ana tjetër një burrë fort i moshuar, që paska qenë në Kajro më 1930, tregoi se fjalët e fundit të Çajupit paskan qenë: “nuk do të më tretë dheu po s’ma panë shqiptarët ‘14 vjeç dëndërin’ tim në mes të Tiranës, në një teatër madhështor, pa kompensato italjanësh!” Pisk e kemi, o Pëllumb! Po qe se, paturpësisht, do të fusim që të votojnë dhe të vdekurit…
Pres të më shkruash.