Leonardo Bonuçi ka folur për “Milan Chanel” përpara se të nisej në grumbullim me Kombëtaren italiane. Kapiteni ka analizuar situatën dhe gjithashtu është ndalur në kualifikimin për Botërorin rus nga ana e Italisë.
Ndaj Sasulos, një fitore e rëndësishme dhe jo vetëm për pikët apo jo?
Na nevojitej vërtet shumë. Tri pikët na bëjnë mirë ne si ekip dhe jo vetëm për klasifikim. Treguam dëshirë për të marrë rezultatin më të mirë, duhet të mbajmë këtë hap dhe të punojmë me qetësi.
Pra, skualifikimi vërtet pati efekt pozitiv?
Më duhet ta pranoj se më bëri mirë, ishte pozitiv, për të mos thënë thelbësor. Më në fund mund të punoj disa ditë radhazi pa luajtur, por edhe të reflektoj mbi faktin se në këtë fillimsezoni nuk kisha qenë Bonuçi i vërtetë.
Si i shpjegoni problemet me rendimentin?
U përqendrova në shumë gjëra, shumica e të cilave as që duhet të ishin në mendjen time. Për fat te keq, jam një tip që kur ndërmerr një nismë, i kushtohet me mish e me shpirt deri në atë pikë saqë lash pas dore veten time.
Marota tha që ishit ju që kërkuat largimin nga Juventusi?
Me Marotën nuk kam pasur kurrë probleme dhe ruaj një raport të shkëlqyer. Karriera ime në Torino u mbyll për arsye që nuk do të ishte bukur të thuheshin në televizion. Juventusit do t’i jem gjithmonë mirënjohës, pasi më bëri lojtarin që jam sot.
A u ndjetë te Milani njësoj siç u ndjetë kur mbërrite te Juvja shtatë vite më parë?
Absolutisht po. Milani nuk është si Juvja dhe aty luajta për shtatë vite brenda një grupi ku shumica njiheshin. Dalëngadalë edhe unë nisa të luaja përmendësh. Në Milano besova te vetja më shumë se duhej dhe krijova pritshmëri të mëdha. M’u desh të bëja një hap pas e tani për të bërë tri të tjerë para, duhet të mendoj vetë. A i ndryshova ekuilibrat? Duhet t’i spostoja, por nuk ia dola mbanë. (qesh)
Po Kesi përse po vuan kaq shumë, pasi e nisi aq mirë sezonin?
Ndonjëherë i ka munguar karakteristika e tij kryesore, që është forca. Ai zbarkoi në Milano si lojtar i madh, por të mos harrojmë se është vetëm 19 vjeç dhe nuk ka shumë përvojë në Serinë A.
Së bashku me kolegët e mbrojtjes po rriteni ndeshje pas ndeshjeje.
Më shumë se si repart, jemi rritur si skuadër. Ky është faktori që bën diferencën. Rritja ka qenë konstante, por në ndeshjet e kaluara na ka munguar disi edhe fati.
Ju jo vetëm mbroni, por edhe shënoni, ndaj Sasuolos ishte radha e Romanjolit?
Jam i lumtur për të, Alesio e meritonte golin, sidomos pas muajve të vështirë që ka kaluar. Ndeshje e madhe dhe gol i rëndë, të paktën ngushëllohet pak për mungesën e thirrjes në Kombëtare.
Meqë përmendët Italinë, si e parashikoni “play-off”-in?
Kemi katër ditë kohë për të përgatitur dy ndeshje vendimtare, por ne jemi Italia dhe nuk mund të mungojmë në Botëror. Duhet të luajmë mirë në Suedi për të gëzuar më pas në “San Siro” përpara tifozëve tanë. Sa për mua, unë jam gati ta luaj që tani!
REINOLD BAKALLI


