Në qytetin Frederik të Merilendit, Wheeler Stone, që njihet më shumë me emrin Doc Stone, po jeton ëndrrën e tij. Ai krijon kostume dhe artikuj të tjerë prej lëkure, për njerëz të cilëve u pëlqen të vishen si personazhe filmash. Ai krijon gjithashtu produkte lëkure për jetën e përditshme. Siç njofton korrespondentja Faiza Elmasry falë internetit, krijimet e tij po gjejnë një treg në rritje.
Doc Stone punon në studion e tij për orë të tëra, pa u lodhur ose mërzitur.
Ai e konsideron krijimin e sendeve prej lëkure më shumë si zbavitje sesa si punë.
Rreth tre vjet më pare, ai la punën si infermier urgjence për t’iu përkushtuar prodhimeve të lëkurës.
“Ishte një vendim i rrezikshëm. Në jetë mund të dështosh duke bërë diçka që nuk e ke pasion. Atëherë, pse të mos rrezikosh dhe të kërkosh suksesin për diçka që të pëlqen ta bësh?!”
Duke iu përkushtuar me kohë të plotë prodhimeve të lëkurës, Stone pati mundësinë të shprehte pasionin e tij për një estetikë dhe stil të një periudhe të veçantë.
“Është një realitet i periudhës Viktoriane që e ka origjinën tek zhvillimi i motorëve me avull dhe tunxhit, një estetikë e ndryshme nga ajo e motorit më industrial që punon me gaz”.
Inger Talbot, një artiste që frymëzohet nga ky lloj stili, vishet si Xena, një personazh që fillimisht u shfaq në serialin televiziv të viteve 1990 “Xena: Princesha luftëtare”.
“Pjesa e kraharorit, shpatullave dhe e shpinës, janë prej metali dhe të liçencuara nga vetë seriali”.
Artisti Stone e ndihmon atë me pjesën tjetër të kostumit.
“Ky është një këllëf për shpatën time që ta var pas shpine në vend që ta mbaj në duar dhe të rrezikoj të vras njerëzit.”
Procesi i punën me lëkurë është i njëjti qoftë me prodhime ttë një kohe të shkuar, qoftë me ato bashkëkohore. Fillon me dizenjimin.
“Marr një copë letër, e pres sipas modelit që dua dhe sigurohem që paloset mire. Prej aty e transferoj tek lëkura dhe e pres.”
Hapi tjetër është ngjyrosja. Si me çdo aspect tjetër të procesit, Stone ka zhvilluar stilin e tij. Ai krenohet pasi është një artist që e ka mësuar zejen e tij, krejtësisht në mënyrë të pavarur.
Pastaj i qep pjesët me njëra-tjetrën dhe e kthen krijimin e tij në realitet.
Së fundmi ai ka hapur një dyqan në internet ku shet disa objekte luksoze të bëra me dorë.
“Kam një printer me tre përmasa. Ka artistë që përdorin lazer për ta prerë lëkurën. Unë mendoj se kryesorja është të kombinohen mënyrat e ndryshme. Kompjurerat janë instrumente ashtu si makina qepëse, por në fund të fundit jam unë gjithmonë që i jap formën përfundimtare”.
Artisti i lëkurës, Doc Stone, thotë se kjo është arsyeja që prodhimet e tij kanë një frymë dhe personalitet krejt të veçantë dhe i sjell një kënaqësi që nuk do ta kishte gjetur kurrë në një punë tjetër.