Kylie Jenner mund të ketë frymëzuar me mijëra vajza të vishen si ajo, të fryjnë buzët si ajo, të ndërrojnë modelin e flokëve sa herë i ndërron pjesëtarja e familjes Kardashian-Jenner, por ëndrra e 20-vjeçares nuk është të jetë Miss America dhe as Marilyn Monroe. Brenda 18 muajve, linja e saj Kylie Cosmetics fitoi 420 milionë dollarë në shitje dhe mendohet që kompania do të arrijë vlerën e 1 miliardë dollarëve brenda vitit 2022.
“Ëndrra ime është të renditem në “Forbes” mes vajzash të suksesshme. Unë dua që kompania ime të jetë aq e fuqishme sa çdo kompani kozmetike tjetër” u shpreh Jenner në një intervistë të vitit 2016 për revistën “Complex”.
Por motrat nga ana e tyre, njohin vetëm sukses dhe çdo sekondë të shfaqjes publike në televizion apo në rrjete sociale e monetizojnë. Çfarë veshin shitet dhe marka si Balmain rifitojnë famën dhe shtojnë forçën punëtore. Çfarë përdorin në fytyrë shitet menjëherë dhe konturi bëhet aq popullor, sa edhe marka të tjera të famshme grimi tashmë i kanë pjesë të koleksioneve të tyre kremërat e errët të konturit. Çdo model flokësh shton punët në parukeritë e botës. Vithet e famshme të Kim-it dhe Kylie-t kanë shtuar xhiro në kirurgë plastikë. Dietat e palestrat e Kim-it dhe Khloe-s futen në programet e shumë dietologëve dhe trajnerëve personalë. Grimierët e familjes (Mario dhe Ariel) mbushin salla që zakonisht mbushen për koncerte dhe falë tyre edhe grimierë të tjerë nëpër botë kanë përfituar, duke aplikuar të njëjtin stil grimi.
Vajzat udhëhequr nga nëna e tyre menaxhere, Kris Jenner, prej 10 vjetësh që në premierën e serisë së parë të “Keeping up with Kardashians” në tetor të vitit 2007, janë kthyer në një makineri lekësh dhe kanë zhvilluar e përmirësuar industrinë e bukurisë në të gjithë botën.
“Mund të thuash shumë gjëra për mua, por nuk mund të thuash kurrë se unë nuk punoj shumë. Unë nuk këndoj. Nuk kërcej. Nuk aktroj. Por nuk jam dembele” Kim u shpreh në një intervistë për revistën “Intervieë” në gusht të 2017-ës.
Dhe në fakt gjithçka çfarë ato bëjnë është falë një pune dhe inteligjencës për të kuptuar mirë asetet e tyre dhe çfarë duan njerëzit. Në fund të ditës ky është thelbi i çdo biznesi të suksesshëm.
Shumë vajza në Shqipëri dhe në botë, gjejnë frymëzim në këtë familje dhe kanë fituar me qindra-mijëra fansa në rrjetet e tyre sociale, falë fotografive me stilin apo pamjen e Kardashian. Por të duash të ngjash si Kylie apo Kim, vetëm për të marrë disa likes apo për të shtuar xhelozinë mes vajzash ndjekëse dhe probabilitetin për të gjetur një partner potencial me burime të mira të ardhurash, është një humbje kohe, që mund të justifikohet vetëm nëse je adoleshente.
Ajo çka duhet të mësosh nga Kylie apo Kim, është si të monetizosh vëmendjen dhe interesin e ndjekësve dhe të fitosh pavarësinë ekonomike duke krijuar një identitet online dhe duke e bërë këtë identitet aq interesant, sa kompanitë do të donin të të kishin imazh të shërbimeve/produkteve të tyre dhe gradualisht dhe njerëzit do të donin “një copë” nga ajo çfarë ti je dhe çfarë pasqyron online.
Ndoshta nuk do të fitosh 420 milionë dollarë në vit, por eksperienca e viteve të fundit edhe nga blogere të tjera të suksesshme në Shqipëri apo në botë, ka treguar se talenti për të tërhequr njerëz me postimet e tua, mund të kthehet fare mirë në një biznes, të paktën aq fitimprurës, sa të krijosh një pavarësi ekonomike dhe të mos presësh një Instamessage nga “burri potencial me lekë” që një ditë mund të trokasë në Instagramin tënd, por jo për vlerat dhe inteligjencën tënde.