Kuvendi ka rrëzuar në fund të seancës së sotme plenare tre dekrete të Presidentit Ilir Meta. Konkretisht shumica socialiste rrëzoi dekretet për kthimin e ligjit për aktivitetet e turizmit detar, heqjen e TVSH-së për jahtet dhe për prokurimet në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë.
Në ligjin që miratoi shumica në 14 maj dhe që e ktheu Presidenti në fillim të qershorit specifikohej se do të përjashtohen nga tatimi mbi vlerën e shtuar “Importimi i jahteve dhe mjeteve të tjera ujore, që përdoren për qëllime turistike, kënaqësie dhe argëtimi, jo më të vjetra se 20 vjet, që përfshihen në kodin 8903, të Nomenklaturës së Kombinuar të Mallrave”.
Por për presidentin, Ilir Meta ky ligj nuk ishte në harmoni me nevojat emergjente të vendit, si dhe me parashikimet e Institucioneve Financiare, të cilat raportojnë për përkeqësimin e situatës ekonomike në vendin tonë. Por këto dhe argumente të tjera, shumica i rrëzoi.
Dekreti i dytë që rrëzoi shumica socialiste ishte për aktivitetin e turizmit detar. Kreu i shtetit kur ktheu ligjin renditi disa arsye duke filluar nga gjobat, që certifikimi të mos bëhet nga ministri për subjektet dhe që ligji kishte terma që nuk ishin në gjuhën shqipe. Por shumica edhe këtë e rrëzoi.
Dekreti i tretë që u rrëzua lidhet me prokurimet në fushën e mbrojtjes. Sipas Presidentit, ky ligj që ka në thelb procedurën për furnizimin me pajisje ushtarake, të klasifikuara, mallra apo shërbime cenon parimet e rëndësishme kushtetuese. Meta vijon më tej duke theksuar se ky ligj shmang procedurat e hapura për prokurimet në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë dhe ul ndjeshëm mundësia e biznesit vendas për pjesëmarrje, por edhe këto pretendime socialistët i rrëzuan.


