Një vrasje me armë zjarri ka ndodhur mbrëmjen e sotme. Viktima mësohet se është një 30-vjeçar. Viktima është vrarë me plumb në kokë ndërkohë që trupi i është gjetur pranë makinës së tij. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në lagjen nr 10 të qytetit, që njihet ndryshe si lagjia e Francezëve. Dyshohet se vrasja ka ndodhur pas një sherri që ka ndodhur në një lokal mes viktimës dhe autorit të ngjarjes.
Burime bëjnë me dije se autori i vrasjes, ka kaluar me makinë para lokalit ku ndodhej viktima bashkë me disa miq të tij duke pirë alkool. Autori ka gjetur rrugën e zënë nga një makinë. Në këtë moment, thonë burimet, autori ka dalë nga makina dhe ka qëlluar me grushte dhe ka gërvishtur makinën që kishte zënë rrugën. Makina para lokalit ishte e njërit prej miqve të viktimës, që ndodhej brenda lokalit duke konsumuar alkool.
Dëshmitarët nga vendngjarja thonë se gjatë debatit janë dëgjuar thirrjet: Kush je ti? Kush jam unë?! Ta tregoj unë…
Menjëherë nga lokali ka dalë grupi i miqve bashkë me viktimën dhe janë konfliktuar verbalisht dhe fizikisht me autorin, i cili ka hyrë në makinë dhe është larguar. Disa minuta më pas, autori është kthyer në vendngjarje dhe ka qëlluar në drejtim të tyre dhe plumbi në kokë ka kapur 30-vjeçarin. Menjëherë pasi ka qëlluar, autori është larguar nga vendi ku ka ndodhur krimi. Viktima ka marrë plumba në kokë dhe pjesën e fytyrës çka vështirëson edhe identifikimin e tij.


