• Breaking News
  • Politikë
  • OP-ED
  • Aktualitet
  • Ekonomi
  • Kulturë
  • Gossip
  • Sport
  • Jetë
AlpeNews
  • 27 June, 2026
AlpeNews

Tirana, Albania

27 June, 2026
  • Breaking News
  • Politikë
  • OP-ED
  • Aktualitet
  • Ekonomi
  • Kulturë
  • Gossip
  • Sport
  • Jetë
  • Follow
    • Facebook
    • Twitter
    • Youtube
    • Instagram
  • No categories
Kush ishte Skënderbeu? Heroi i legjendës krah figurës historike
Home
Dossier

Kush ishte Skënderbeu? Heroi i legjendës krah figurës historike

9 May, 2018 Redaktor2 Dossier

Ishte hijerënd e shtatlartë

Priftërinjtë, fisnikët, populli i thjeshtë shihnin te Skënderbeu udhëheqësin karizmatik, që amplifikohej në mënyrë legjendare, në të menduarit e popullit bëhej madje një qenie e mbinatyrshme, me të cilin lidheshin përfytyrime që i ndesh edhe në saga e cikle të tjera epike të popujve europianë.

Në rastin e Skënderbeut është mjaft joshëse të pranëvendosësh heroin e legjendës krah figurës historike.

Kjo pasi burimet e kohës të lejojnë krahasimin midis mitit dhe realitetit. Skënderbeu ishte një burrë i pashëm e hijemadh, shtatlartë, figurë luftëtari, binte sidomos në sy hunda e tij prej shkabe, që në Itali mbahej si shenjë dalluese e familjes Kastrioti.

Pas zakonit arbër, Skënderbeu pjesën e sipërme të çaçkës e kishte thuajse të rruar krejt. Mbi këtë mbante një beretë në stilin e Carmagnolas, atij kondotierit të famshëm të quajtur Francesco Bussone që u ekzekutua në Venedik më 1432. Prej Venedikut ai merrte stofra të vyera për rrobat e tij.

Përmendorja në Barkën e Artë

Një përmendore e Skënderbeut e madhësisë natyrore, «sipas proporcioneve të këtij burri dhe e praruar me flori» stoliste në qendër anijen shtetërore venedikase, Bucintoro (Barka e Artë), simbol i imazhit ceremonial venedikas.

Prej Vivaldit te Benjamin Disraeli

Objekt i përshkrimit që keni para vetes është jeta e një njeriu, i cili nga bashkëkohësit e tij, por edhe prej gjeneratave të ardhshme është perceptuar si «hero», një koncept që sot mund të duket i huaj, por në shoqërinë që po përshkruajmë paraqiste një kategori kyçe për mobilizimin e pushtetit politik.

Për figurën e Gjergj Kastriotit, i cili kishte marrë emrin Skanderbeg, u interesuan burrështetas, humanistë dhe historianë të shekullit të ’15, por më pas edhe biografë, letrarë, autorë libretesh dhe publicistë politikë deri në ditët tona.

Prej Papës Piu i II-të, Vivaldit e deri te Benjamin Disraeli shtrihet harku i atyre europianëve të njohur, të cilët u morën me Skënderbeun. Si formë për t’iu afruar atij shumica e zgjodhën biografinë.

Asnjë figurë e historisë së Europës juglindore nuk ka gëzuar si individ me shekuj një vëmendje të tillë si ky fisnik shqiptar.

Jeta e tij mes krishterimit ortodoks, islamit dhe besimit katolik dhe kryengritja e tij kundër sulltanëve osmanë që zgjati 25 vjet ngazëllyen publikun europian në një epokë, në të cilën osmanët dhe feja e tyre islame u perceptuan si kërcënim elementar dhe përballë disfatave të shumta ushtarake kishte nevojë për shembullin e një prijësi ushtarak të krishterë si inkurajim dhe ngushëllim.

Letra e Mbretit Ferrante dërguar Donika Kastriotit

Fort e nderuara zonjë e nënë e dashur! Morëm vesh me dhimbje të madhe se i larti Skënderbe, burri juaj dhe njeriu i dashur për ne si një baba i dytë, vdiq me vullnetin e Zotit.

Kjo humbje na ka zhytur në një pikëllim jo më të paktë se ajo e atit tonë të shtrenjtë, mbretit Alfons që i pavdekshëm i qoftë kujtimi.

Gjëma e Lekë Dukagjinit pranë Skënderbeut të vdekur

Edhe pas kaq kohësh lajmi për vdekjen e Skënderbeut ngjan si një gjëmë e vetme që jehon nga malet e Arbërisë. I gjithë vendi ishte i trazuar e në dëshpërim, njoftonin nga Durrësi në Venedik.

Paria e Arbërisë u mblodh së bashku për të vajtuar heroin e vet. Gjamtari ishte Lekë Dukagjini që përkulej mbi kufomën e rivalit të vet të vjetër, me të cilin së fundi kishin hequr rrethimin e Krujës.

Sipas Frankut, që pa dyshim do të ketë qenë dëshmitar, Leka bërtiste: «O Skanderbe, mbreti ynë, ti ngushëllim i mirë e i shenjtë yni, vllau e mburoja jonë, si na le kështu si jetimë, si delet pa bari?

Si të shpëtojmë tash nga duert e turqve të pabesë, armiqve tanë kaq të fuqishëm?

O mjerë popujt tanë! Mjerë i madh e i vogël! Mjerë Arbnia». Kudo në Ballkan, prej Korfuzit deri në Dalmaci, të krishterët e pritën lajmin me dëshpërim. Në Arbëri heroit iu ngritën këngë e legjenda. Dëgjoheshin ngado vajet e ligjet, të cilat i dinte edhe i ati i Cabellicos. Thanë se kali besnik i Skënderbeut, që nuk duronte mbi shpinë askënd tjetër veç të zot, kishte derdhur lot të vërtetë, ditë e natë kishte rrahur dheun me thundër e pastaj ishte këputur përtokë pa u ngritur më.

«Një burrë gati hyjnor»

Pas vdekjes së Skënderbeut veteranët tregonin se ai kishte vrarë i vetëm në luftë 3000 osmanë. Tregojnë si veçori që Skënderbeu nganjëherë kafshonte buzën deri sa fillonte t’i dilte gjak.

Barleti, prifti, shkon aq larg saqë e lëvdon si «një burrë gati hyjnor». Sesi shihej e pranohej Skënderbeu edhe në ato qarqe fisnike, të cilat i rrinin me mosbesim, këtë e dëftejnë shënimet e Joan Muzakit, i cili flet për «virtù e valore» të Skënderbeut, për dinakërinë e tij në marrjen e Krujës befasisht, kur e quan kapedan me rëndësi.

Për Musachin zotëria i vërtetë dallohet ngaqë është «huomo de core e che ualeva». Ai e lëvdon Skënderbeun si «të urtë, të virtytshëm e shpirtmirë»; por sidomos që: «ishte më i madhi zotëri nga të gjithë paraardhësit e tij».

Heroi nuk është vetëm një luftëtar i madh, por dhe një gjuetar i shkëlqyer: kur del për gjah ai kalëron në ultësirat e gjera arbre anë detit dhe shtrin përdhe më një të goditur arinj, kaproj, ujq.

Franko tregon si anekdotën më të famshme të gjahut një ngjarje gjatë fushatës së Skënderbeut në Pulje (1461); në sytë e mbretit Ferrante dhe oborrtarëve të tij ai, me një të rënë të shpatës, shtrin përtokë një harkoç.

Në Arbëri njerëzit ishin shtangur edhe nga një ndodhi tjetër gjahu: në pyllin e motrës së tij, Mamicës, ishte një derr i egër që u kishte bërë njerëzve dëme të mëdha, aq sa edhe bujarët merrnin vrapin kur e shikonin; mirëpo heroi më shkathtësi të jashtëzakonshme ia hoqi kokën shtazës me «një të rënë të bukur të shpatës».

Me habi e admirim shihen kali dhe armët e heroit: osmanët thuhet se kishin një frikë fetare ndaj shpatës së Skënderbeut; kjo shpatë mbahej se çante koraca, përkrenare, armatime të çdo lloji.

Heroi zotëronte tri shpata të tilla, bujarisht ia pat dërguar njërën prej tyre kundërshtarit të vet, sulltanit, kur u mësua se ky fort e dëshironte – mirëpo as ai as të mëdhenjtë e tjerë osmanë nuk e përdornin dot këtë shpatë.

Nga vepra «Skënderbeu» e historianit Oliver Jens Schmitt

Facebook Twitter Google+ LinkedIn Pinterest
Next article PAMJE TE RENDA: Vdekja e 18-vjeçares në Vlorë, familjarët akuza mjekëve dhe mësuesve
Previous article ÇUNA PËRMBAHUNI/ Beatrix i kthen të pasmet kamerës dhe nuk i lë vend imagjinatës (FOTO)

Redaktor2

Postime të ngjashme

DOSSIER/  Letra e panjohur e mbesës së Parashqevi Qirjazit: Sevastia dhe Parashqevia u lejuan të banonin në një kotec pulash, pasi godina ishte kthyer në shkollë partie, ku mësonin... Dossier

DOSSIER/ Letra e panjohur e mbesës së Parashqevi Qirjazit: Sevastia dhe Parashqevia u lejuan të banonin në një kotec pulash, pasi godina ishte kthyer në shkollë partie, ku mësonin...

DOSSIER/ “Lidhja e Prizrenit lindi nga lufta ruso-turke e motit 1877-’78, pasi Rusia fitimtare po përgatiste copëtimin…” Shkrimi i panjohur i Mid’hat Frashërit në 1928-ën Dossier

DOSSIER/ “Lidhja e Prizrenit lindi nga lufta ruso-turke e motit 1877-’78, pasi Rusia fitimtare po përgatiste copëtimin…” Shkrimi i panjohur i Mid’hat Frashërit në 1928-ën

DOSSIER/ “Përballë këtyre vështirësive, Konferenca e Londrës e shtyu vendimin përfundimtar për statusin e Shqipërisë..." Ana e panjohur e Konferencës së Londrës e 1913-ës Dossier

DOSSIER/ “Përballë këtyre vështirësive, Konferenca e Londrës e shtyu vendimin përfundimtar për statusin e Shqipërisë..." Ana e panjohur e Konferencës së Londrës e 1913-ës

Facebook Comments

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari? Blog

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit Blog

EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit

ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi? Blog

ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi?

MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama Blog

MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama

ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia? Blog

ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia?

  • Breaking News
  • Politikë
  • OP-ED
  • Aktualitet
  • Ekonomi
  • Kulturë
  • Gossip
  • Sport
  • Jetë
  • Back to top
© AlpeNews 2017. Të Gjitha të Drejtat e Rezervuara
KONTAKT