Ndërsa Irani po vuan nga një thatësirë e fortë, zyrtarët vendas po përpiqen të gjejnë shkakun për këtë. Një prej gjeneralëve të ushtrisë së Iranit bën me faj Izraelin për këtë.
General brigade Gholam Reza Jalali, shefi i Organizatës së Mbrojtjes Civile, akuzon Izraelin se ka gisht në ndryshimin e dyshimtë të klimës së vendit. Ai thotë se ka prova që Tel Avivi dhe aleatë të tij kanë prishur regjimin e reshjeve mbi tokën iraniane.
“Ndërhyrje të jashtme dyshohet se kanë luajtur rol në ndryshimin e klimës”, tha ai në një konferencë shtypi të hënën, raporton ISNA. Jalalai shtoi se qendrat kërkimore në Iran pritet ta konfirmojnë teorinë e tij.
Sipas tij, ekipe të përbashkëta të krijuara nga Izraeli dhe një tjetër shtet fqinj po bëjnë që në Iran edhe retë që hyjnë të mos çojnë reshje. “Po përballemi me raste të vjedhjes së borës dhe asaj të reve”, tha ai.
Për të mbështetur teorinë e tij, Jalali citoi rezultatet e një studimi sipas të cilit e gjithë zona malore mbi lartësinë 2200 metra mes Afganistanit dhe Mesdheut, përveç Iranit, është mbuluar nga bora.
Ndërsa Shërbimi Meteorologjik Iranian thotë se Irani nuk është i vetmi që vuan nga thatësira e tejzgjatur, pasi ky është një trend global.
“Ndoshta Jalali ka dokumente për të cilat unë nuk jam në dijeni, por në bazë të njohurive meteorologjike, është e pamundur që një vend t’i vjedhë retë ose borën një tjetri”, tha shefi i Shërbimit Meteorologjik Iranian, Ahad Vazife.
Ndërsa një tjetër studiues iranian la të hapur mundësinë që Jalali mund të ketë të drejtë, duke thënë se pretendimet e tij duhen verifikuar me kujdes.


