Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka ironizuar deklaratën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti i cili në një bashkëbisedim me gazetarin iraniano-amerikan të Washington Post, Jaron Rezaian ka thënë se Kosova nuk mund ta njohë Serbinë, e cila nuk e njeh Kosovën.
“Njohja nga Kosova për neve është shumë e rëndësishme, sepse Serbia nuk njihet ndërkombëtarisht. Ai do ta njohë Serbinë, po të mos ishte qesharake do të ishte e trishtueshme”, ka thënë Vuçiç.
Sipas Vuçiç, Albin Kurti, nuk mundet assesi ta ndryshojë kornizën e bisedimeve në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, pasi ky i fundit gjithmonë po insiston në njohjen reciproke.
Për Vuçiç, samiti ndërmjet shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian, nuk ishte aspak i lehtë, pasi sipas tij, në Bruksel krerë e unionit kanë kërkuar harmonizimin e politikave të Serbisë me masat kufizuese të BE-së kundrejt Rusisë.
“Serbia nuk duhet të shkojnë në një ekstrem tjetër, ne po vazhdojmë rrugën tonë evropiane”.
Në një intervistë të Albin Kurti, për gazetarin e Washington Post, Jason Rezaian, dhënë sa ishte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por e publikuar vetëm tash rishtazi, kryeministri i Kosovës ka deklaruar se aleanca SHBA-Kosovë duhet të forcohet patjetër dhe kjo, jo vetëm për nevojën e Kosovës.
Siç e ka artikuluar Kurti në bisedë me Rezaian, qëllimi i Rusisë në destabilizimin e Kosovës, nuk ka të bëjë vetëm me sulm direkt ndaj shtetit të ri, por edhe me shpërfaqjen e një dështimi të intervenimit të NATO-s dhe investimit amerikan.
Kryeministri i Kosovës ka folur edhe për dialogun me Serbinë në kontekstin e çështjeve të sigurisë.
“S’mund ta njoh një Serbi që s’më njeh mua. Prandaj është e nevojshme një njohje e dyanshme, dhe ne jemi gati të përfshihemi në këtë lloj dialogu”.


