Në vitet e fundit, janë shtuar rastet kur personazhe publike femra në Shqipëri janë bërë objekt përndjekjeje apo ngacmimi nga individë të panjohur. Këto situata kanë çuar në denoncime pranë autoriteteve dhe, në disa raste, në ndjekje penale.
Së fundmi ka qenë pre e një ngacmimi moderatorja sportive Albana Bejko.
Një mjek psikiatër, 42 vjeç, është arrestuar pasi prej kohësh përndiqte moderatoren, duke u kthyer në rrezik për të. Sipas policisë, mjeku, i identifikuar si Behar Kamberi, jetonte në Kosovë, por dyshohet se ka përndjekur vazhdimisht Bejkon, duke u shfaqur disa herë pranë banesës së saj.
E gjendur në këtë situatë, moderatorja pranoi të dilte në një takim me të, duke bashkëpunuar me policinë. Sapo 42-vjeçari është paraqitur në vendin e caktuar, është arrestuar.
Alpenews.al ju sjell raste të ngjashme të vajzave VIP që janë përndjekur nga persona të panjohur të ekranit.
RASTI LUANA VJOLLCA DHE FANSI I SAJ
Një person me emrin Ajdin Morina, 29 vjeç nga Gjakova, e kishte përndjekur për disa muaj moderatoren Luana Vjollca. Ai i dërgonte vazhdimisht mesazhe përmes rrjeteve sociale dhe email-it të saj të punës, dhe shkonte shpesh pranë ambienteve të punës së saj në “Top Channel” si dhe pranë banesës ku ajo jetonte.
Në disa raste, ai i kishte dërguar Luanës fotografi të apartamentit të saj, të shoqëruara me mesazhe shqetësuese, si p.sh. “Do të jem aty për 30 minuta”. Këto veprime i kishin shkaktuar asaj ndjesi pasigurie dhe frike, aq sa kishte ndjerë nevojën të shoqërohej nga sigurimi privat dhe të qëndronte përkohësisht në banesën e nënës së saj.
Pas denoncimit që Luana kishte bërë në polici, Ajdin Morina u arrestua në flagrancë, teksa ndodhej sërish pranë banesës së saj. Veprimet e tij ishin cilësuar si përndjekje e vazhdueshme dhe cenim serioz i privatësisë së saj.
JONIDA SHEHU
Një person me emrin Saimir Qefalia ishte fiksuar pas moderatores Jonida Shehu. Për një periudhë prej afro dy vitesh, ai e kishte përndjekur vazhdimisht, duke e ndjekur fizikisht hap pas hapi dhe duke i dërguar mesazhe të shumta nëpërmjet SMS-ve dhe rrjeteve sociale, ku shprehte ndjenja dashurie dhe kërkonte të krijonte një lidhje me të.
Pasi situata ishte bërë e padurueshme, Jonida Shehu kishte bërë kallëzim pranë autoriteteve. Rasti kishte shkuar në gjykatë dhe Gjykata e Tiranës e kishte shpallur fajtor Saimir Qefalian për akuzën e përndjekjes.
Si rezultat, ai ishte dënuar me pesë muaj heqje lirie. Megjithatë, Qefalia ishte liruar menjëherë, pasi koha e kaluar në paraburgim i ishte llogaritur si pjesë e dënimit.
FJORALBA PONARI
Moderatorja shqiptare Fjoralba Ponari kishte zbuluar se ishte ngacmuar seksualisht, duke reaguar pas publikimit të një rasti abuzimi ndaj një të miture në Shqipëri që kishte shkaktuar reagime të shumta në publik dhe media.
Në vijim të këtij rasti, shumë figura publike të estradës shqiptare kishin shprehur mendimet e tyre përmes rrjeteve sociale dhe kishin njoftuar se do të merrnin pjesë në protestat e organizuara në mbështetje të viktimës dhe në kërkesë për drejtësi.
Ndër ta ishte edhe moderatorja Fjoralba Ponari, e cila kishte ndarë një përvojë personale të ngacmimit seksual. Ajo kishte publikuar një pjesë të komunikimit ofendues që kishte marrë, duke shoqëruar postimin me një reagim të ashpër:
“Hëngsh veten dhe iu thaftë asaj që ta lë ty! Shpellar! U lumtë moj nëna shqiptare për bijtë që keni rritur!”






