Shqipëria ka kryer mbi 300 mijë vaksinime deri tani, prej tyre mbi 200 mijë të moshuar tashmë kanë kryer dozën e parë të vaksinës.
Këtë fundjavë nisi edhe vaksinimi i punonjësve të sektorit të turizmit, ndërsa po vazhdon vaksinimi masiv sipas kalendarit të kombinuar për personat mbi 60 vjeç dhe punonjës të tjerë të shërbimeve kritike.
Ndërkohë në fundjavë kanë ardhur edhe 40 mijë doza të AstraZeneca-s nëpërmjet Covax. Ardhja e kësaj sasie ndodh ndërkohë që Europa ka vendosur të mos rinovojë më kontratat me AstraZeneca, për shkak të pasigurisë në efektet e kësaj vaksine.
Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ishte e ftuar sot në “Wake Up” ku sqaroi se AstraZenca është një vaksinë e sigurt.
“EMA në asnjë moment nuk ka pezulluar Astrazeneca. Në bazë të evidencave shkencore që ka kryer, është se përfitimet nga kjo janë shumë më të larta sesa rreziqet.
Komiteti ynë ka vlerësuar që të vijojmë me AstraZenca, sepse redukton sëmundshmërinë e rëndë, shtrimet dhe mortalitetin. AstraZeneca nuk është ndaluar në asnjë vend të botës. Vaksinat që përdoren në Shqipëri janë të sigurta.
Ne bazohemi në rekomandimet e ekspertëve që vlerësojnë vaksinimin dhe aktualisht nuk kemi një rekomandim për grupmoshat që duhet të përdorin AstraZeneca. Priten 40 mijë doza të AstraZenca në maj, ndërsa në qershor priten edhe Pfizer”, u shpreh ministrja.
E pyetur kur do e arrijë Shqipëria imunitetin e tufës, ajo u përgjigj: “Ajo çka na ka treguar Covid-19 është se na ka përballur me shumë të panjohura. Po kryhen ende studime në botë. Ne kemi një plan ambicioz, të kemi 500 mijë vaksinime në maj. Synojmë që brenda pranverës së vitit të ardhshëm të jetë i vaksinuar çdo person”.


