Na ndodh shpesh t’u themi familjarëve tanë të afërt se “nuk do donim t’i shihnim me sy” për një moment, por kjo nuk zgjat zakonisht më shumë se dhjetë sekonda. Por ka nga ato raste që kjo “thënie” mund të agravojë (shkojë) deri në dhunë psikologjike, dhe deri në dhunë fizike (rrahje, therje, apo vrasje).
Lajmi për Dhunën ndaj Vëllait (1) – ALPENews.al
Shumë prej tyre ndodhin për motive familjare, arsye ku në qendër kanë një pronë, një “sherr”/zënkë të vjetër, xhelozi brenda familjes, apo për borxhet e shumta që mund t’i kenë njëri-tjetrit.
ALPENews.al ishte media e parë mbasditen e sotme që raportoi ngjarjen në Tiranë të dhunës së vëllezërve, ku njëri prej tyre (i dhunuari, 37-vjeç banues në kryeqytet) kërkoi urdhër-mbrojtje në Komisariatin nr.1.
Disa prej rasteve që morën “bujë” pasi u publikuan në media do t’jua listojmë më poshtë.
RASTI 1 – Vëllai dhunon fizikisht motrën e madhe dhe vëllain
Një 48-vjeçar ka përfunduar nga prangat e policisë pasi ka dhunuar motrën e tij më të madhe.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier arrestuan në flagrancë shtetasin – Llazar Lule, 48 vjeç, banues në Fier. Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi në banesë, për motive të dobëta ka ushtruar dhunë fizike ndaj motrës së tij, shtetases V.L, 52 vjeçe.
RASTI 2 – “Kërcet” thika në Fier. 47-vjeçari kërcënon vëllain e moshuar
Një 41-vjeçar është arrestuar në qytetin e Fierit pasi kërcënoi me thikë vëllain. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier, arrestuan në flagrancë shtetasin Alfred Mëhilli, 41 vjeç, banues në Fier.
Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi në banesë ka kërcënuar me thikë vëllain e tij, shtetasin R.M, 55 vjeç.
Gjatë kontrollit personal të ushtruar, shtetasit Alfred Mëhilli iu gjet dhe iu sekuestrua një thikë dhe një dorezë metalike.
RASTI 3 – Pasi “konsumoi” lëndën narkotike i “hidhet” të vëllait në Lushnje
Një 32-vjeçar është vënë në pranga nga autoritetet në Lushnje, pasi ushtroi dhunë fizike dhe psikologjike ndaj vëllait të tij. Besmir Lika, sipas policisë ka dhunuar vëllain e tij T.Lika pas një konflikti për motive të dobëta, të ndodhur në lagjen “18 Tetori”.
Gjatë kontrollit të ushtruar nga punonjësit e policisë në banesë, 32-vjeçarit iu gjetën gjithashtu dy qese me kanabis, me peshë rreth 413 gramë.
RASTI 4 – Pasi dhunoi nënën e tij i “kthehet” vëllait të vogël
Policia e Korçës ka arrestuar një 29-vjeçar pasi akuzohet se ka dhunuar nënën e tij ndërsa ka rrahur keq duke e bërë për spital vëllain e vogël 15 vjeç. I riu është identifikuar si Elton Zyberi, 29 vjeç, banues në Korçë.
Arrestimi i tij u bë pasi më datë 01.08.2017, dyshohet se ky shtetas për motive të dobëta, ka ushtruar dhunë fizike ndaj nënës së tij shtetases L.Z, 52 vjeçe, si edhe ka goditur me sende të forta vëllain e tij (nga nëna) shtetasin P.S, 15 vjeç, i cili ka marrë mjekim në Spitalin Rajonal të Korçës, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën”- njofton policia.
RASTI 5 – “Dyshja” në Elbasan dhunojnë përkatësisht vëllezërit e tyre
Policia e Elbasanit ka arrestuar në flagrancë dy persona, pasi akuzohen për “Dhunë në familje”. Njëri prej tyre ka ushtruar dhunë fizike ndaj nënës së tij, dhe tjetri ndaj vëllait. Specialistët për Krimet, në Komisariatin e Policisë Cërrik dhe Peqin, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve: Amarildo Muça, 39 vjeç banues në Cërrik. Arrestimi i tij, u bë pasi në banesë, gjatë një konflikti për motive të dobëta dyshohet të ketë ushtruar dhunë fizike ndaj nënës së tij dhe vëllait, shtetases F.M., 66 vjeç.
Ndërsa 56-vjeçari Kujtim Kavaja, banues në fshatin Fatish në Peqin, u arrestua pasi gjatë një konflikti për motive pronësie dyshohet të ketë ushtruar dhunë fizike ndaj vëllait të tij, shtetasit A.K, 50 vjeç. Ndaj tyre, materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprime të mëtejshme për veprën penale “Dhuna në familje”.
Përgatiti – ALPENews.al







