Të katër projektligjet e paketës fiskale për TVSH-në, akcizën, taksat kombëtare dhe tatimin mbi të ardhurat, u miratuan në Kuvend me 76 vota pro dhe 46 kundër, përfshirë JO-në e ish-zëvendëskryeministrit Erion Braçe.
TVSH
Humbësit më të mëdhenj të paketës fiskale janë fermerët, që pavarësisht protestave, një takimi me kryeministrit Edi Rama për të ndalur votimin e skemës për bujqësinë, nuk morën asnjë rezultat. Ndryshimet e taksave, siç u prezantua nnë fillim po ashtu u miratuan, pa pësuar asnjë ndryshim.
Prej janarit të vitit të ardhshëm fermerët nuk do të marrin më kompensimin 6% të TVSH-së, pasi me ligjin e ri, rimbursimi zerohet, do të paguajnë taksë 10% për inputet bujqësore, nga zero që e kishin, dhe do të jenë të përjashtuar nga TVSH-ja investimet mbi 500 milionë lekë, nga 50 milionë lekë që është aktualisht.
Për opozitën dhe deputetin e PS-së Erion Braçe këto ndryshime do thellojnë humbjet e bujqve dhe do të favorizojnë importin.
AKCIZA
Kostoja tjetër e paketës fiskale bie mbi qytetarët. Duke unifikuar akcizën për hidrokarburet vendoset taksë 6 lekë për çdo litër gaz që përdoret për ngrohje, gatim apo nga bizneset. Për shkak të krizës energjetike kjo taksë do të aplikohet nga 1 korriku 2022 dhe jo më 1 janar siç ishte parashikuar. Kjo taksë deri tani ka qenë 8 lekë për litër vetëm për automjetet me gaz. Po ashtu hiqet rimbursimi i akcizës për lëndët djegëse që përdor industria.
TAKSAT KOMBËTARE
Fituesit e kësaj pakete, për të cilët u bënë ndryshime në komisionet parlamentare dhe u miratuan në Kuvend, janë jahtet dhe fabrikat e qumështit.
Qeveria propozoi taksë 65 lekë për çdo litër karburant që përdoret nga jahtet që deri më tani të gjitha mjetet e huaja lundruese e merrnin pa taksuar. Por pas diskutimeve me operatorët e turizmit, taksa u ul në 40 lekë me argumentin se dëmton turizmin. Me gjithë taksën çmimi i karburantit për jahtet do të jetë 110-120 lekë, ndërsa qytetarët po paguajnë për karburatin deri në 186 lekë, rreth 55% më shumë.
Përfitues të paketës fiskale janë edhe fabrikat e qumështit. Duke parë rritjen e importit, qeveria mendoi të frenoi përdorimin e qumështit pluhur duke e taksuar për herë të parë, me 100 lekë për çdo kilogram dhe 150 lekë për nën produktet e tij. Por qeveria u tërhoq pas kundërshtimit nga fabrikat e përpunimit të qumështit. Në finale, qeveria vendosir se fabrikat që e deklarojnë në etiketë se e kanë përdorur qumështin pluhur në produktet e tyre bashkë me deklarimin e përqindjes së tij, nuk do të paguajnë taksë.
TATIMI MBI TË ARDHURAT
Nga 1 janari 2022 qytetarët me paga deri në 40 mijë lekë nuk do të paguajnë tatim, nga 30 mijë lekë që është limiti i tanishëm. Ndërsa kur paga është deri në 50 mijë lekë, taksimi i pagës nis nga 30 mijë lekëshi. Pra qytetari do të paguajë 6.5% për pagën mbi 30 mijë lekë deri në 50 mijë lekë.
Ndërsa pagat mbi 50 mijë lekë deri në 200 mijë lekë do taksohen me 13%, dhe pagat mbi 200 mijë lekë do të taksohen me 23%.
NDRYSHIMET E TVSH
– Taksë 10% për inputet bujqësore
– Heqje të kompensimit bujqësor prej 6%
– përjashtimin nga TVSH-ja për importimin e makinerive me vlerë më të se 500 mln lekë
NDRYSHIMET TEK TAKSAT KOMBËTARE
– Taksa për jahtet nuk do të jetë 65 lekë por 40 lekë
– Taksë për qumështin pluhur vetëm për kompanitë që nuk e deklarojnë në etiketë
NDRYSHIMET TEK LIGJI I AKCIZËS
– Taksë 6 lekë/ litër për gazin
– Heqja e rimbursimit akcizës për lëndët djegëse