Vijojnë operacionet intensive për kapjen e Sadik Llanit, 49-vjeçarit të dyshuar për vrasjen e një të riu në Paskuqan. Sipas informacioneve të siguruara, autoritetet dyshojnë se ai mund të jetë fshehur në zonën mes Kamzës dhe Fushë-Krujës.
Ne operacion janë angazhuar forca të shumta të RENEA-s dhe të Policisë së Shtetit, të cilat kanë shtrirë kontrollet në territorin e Fushë-Krujës. Gjatë orëve të fundit janë kontrolluar dhjetëra banesa dhe ambiente të tjera ku dyshohet se mund të strehohet i kërkuari.
Autoritetet e kanë shpallur Sadik Llanin person me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe dyshohet se është ende i armatosur.
Në kuadër të kërkimeve, policia ka vendosur edhe një shpërblim prej 10 mijë eurosh për çdo informacion që çon në gjetjen dhe arrestimin e 49-vjeçarit.
Ndërkohë, operacioni për kapjen e tij vijon në disa zona, ndërsa grupet hetimore po punojnë për të siguruar të dhëna të reja që mund të ndihmojnë në lokalizimin e të dyshuarit.


