Policia tha se gjatë operacionit të koduar “Laboratori” janë sekuestruar 1.8 kg heroinë, 200 gramë kokainë, lekë e sende që shërbenin për përzierjen dhe ambalazhimin e lëndës narkotike. Ndërsa në pranga kanë përfunduar dy persona që dyshohet se tregtonin doza lëndësh narkotike në zona të ndryshme të kryeqytetit.
Të arrestuarit janë shtetasit me iniciale F.N., 30 vjeç, me pseudonimin “Loli i Verës” dhe P.P., 27 vjeç, me pseudonimin “Pipo”. Gjithashtu, Policia ka proceduar penalisht në gjendje të lirë për moskallëzim krimi edhe 3 persona të tjerë, një femër e dy meshkuj, njëri i dënuar më parë për çështje droge.
OPERACIONI
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bazë të informacioneve të siguruara nga burime të ndryshme për veprimtari kriminale në fushën e tregtimit të narkotikëve dhe pas një hetimi me metoda speciale të hetimit në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës, finalizuan dje operacionin e koduar “Laboratori”.
Ky operacion u realizua në ngarkim të një grupi kriminal në drejtim të tregtimit të lëndëve narkotike ku u kapën dhe u arrestuan në flagrancë shtetasit F. N., 30 vjeç, i dënuar më parë për veprën penale “Prodhim dhe shitje narkotikësh”, dhe P. P., 27 vjeç, banues në Tiranë. Gjithashtu, u proceduan penalisht për veprën penale “Moskallëzim Krimi”, shtetasit, B. N, 36 vjeçe, B.S., 43 vjeç dhe G.G., 47 vjeç, i dënuar më parë për “Prodhim dhe shitje narkotikesh”.
Në momentin e ndërhyrjes, shtetaseve F.N. dhe P.P. gjatë kontrollit fizik, Policia u ka gjetur dhe sekuestruar lëndë narkotike në formë dozash. Më pas, kontrolli ka vijuar në banesa ku gjithsej janë gjetur e sekuestruar rreth 1 kilogram e 864 gramë heroinë, nga kjo sasi një pjesë ishte e përgatitur në 353 doza, 202 gramë kokainë, rreth 50 mijë lekë të rinj, peshore elektronike, frulator grirës, sitë e sende të tjera që shërbenin për përzierjen dhe ambalazhimin e lëndës narkotike.
HETIMI
Seksioni për Hetimin e Narkotikeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë kishte marrë informacione në rrugë operative nga burime të ndryshme për shtetasin F. N., i cili në bashkëpunim me persona të tjerë, dyshohej se tregtonin lëndë narkotike të llojit heroinë dhe kokainë për llogarinë e këtij të fundit në zonën e Tiranës.
Pas një punë të mirëfilltë profesionale me metoda speciale të hetimit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës, u bë i mundur dokumentimi ligjor i aktivitetit kriminal në fushën e narkotikeve në drejtim të dograve të forta, heroinës dhe kokainës, që ushtrohej nga shtetasit F. N. me pseudonimin “Loli i Verës” dhe P. P. me pseudonimin “Pipo”, të cilët në bashkëpunim me njëri – tjetrin shisnin në formë dozash dhe në sasi të konsiderueshme lëndë narkotike, heroinë dhe kokainë. Këta shtetas, shitjen e lëndës narkotike e bënin në disa zona të Tiranës. Për këtë aktivitet kriminal, personat kishin përshtatur një apartament për përpunimin, përzierjen, ambalazhim, e lëndës narkotike heroine dhe kokaine dhe më pas ua shisnin klientëve në doza të vogla.



