Kryeministri Edi Rama në një intervistë për prestigjiozen gjermane “Die Welt” ka folur për ndryshimet në qeveri, për rolin e tij si Kryeministër në drejtimin e vendit, integrimin në Bashkimin Europian, pasionin për pikturën dhe sportin. “Rama është artist dhe kryeministër. Ai është në krye të qeverisë shqiptare prej afro gjashtë vjetësh. Sot, ai po ekspozon veprat e tij në Berlin, ndërsa flet për “dashurinë” e tij për Kancelaren gjermane Merkel, si dhe perspektivën e zymtë të Europës”, e nis shkrimin e saj gazeta gjermane.
Prestigjiozja “Die Welt”, shkruan se “si kryetar i bashkisë së Tiranës, Edi Rama leu plot ngjyra fasadat e godinave gri të qytetit. Vizatimet dhe pikturat e tij të panumërta janë pasqyrim i jetës së përditshme në konferenca të gjata. Kryeministri 54-vjeçar vlerësohet i suksesshëm me qytetarët e tij. Në vitin 2017, Partia e tij Socialiste fitoi shumicën absolute”.
“Politikani artist u përfaqësua edhe në Bienalen e Venecias, ndërkohë që ka ekspozuar pikturat e tij edhe në Nju-Jork. Tashmë, ai do të hapë një ekspozitë në Berlin”, vijon më tej shkrimi. I pyetur se çfarë ka bërë sot, në cilësinë e Kryeministrit, Edi Rama thekson se “kam ndryshuar disa ministra, thuajse 70% të tyre. Tani që flasim, kemi thuajse një qeveri të re”.
“Herë pas here nevojiten energji të reja, për lojtarë të rinj në fushë, në mënyrë që të mos bëjmë të njëjtin gabim që bëri kombëtarja gjermane, pasi fitoi Kupën e Botës”, shprehet Rama. Duke folur për ndryshimin e sportit me artin, Rama thotë se “për mua, që të dyja janë ekzistenciale. Është e pamundur t’i krahasosh. Si artist punoj thuajse tërësisht vetëm, pasi është diçka e brendshme. Ndërsa në sport punoj jashtë me të tjerët, pasi dua të arrijmë diçka të përbashkët”.
Përsa i përket pyetjes se çfarë do të thotë të udhëheqësh një vend dhe të kesh përgjegjësi, Kryeministri Rama nënvizon se “nuk është aspak më e lehtë të qeverisësh një vend të vogël, krahasuar me një vend të madh. Shumëkush nuk e përfytyron këtë. Shpejtësia e komunikimit është e jashtëzakonshme dhe qasja e njerëzve ndaj meje është shumë e drejtpërdrejtë dhe intensive. Dhe puna ime është krejt e ndryshme nga ajo çfarë mendon shumica e njerëzve. Unë vazhdimisht shqyrtoj, gjykoj, marr vendime dhe zhvilloj strategji për të gjetur një mënyrë që vendi ynë të arrijë qëllimet. Trualli mbi të cilin unë lëviz është gjithmonë në lëvizje. Është si një lojë globale shahu”.
Nëse është i kënaqur me veten për punën që po bën, Rama përgjigjet se “të mbash postin e Kryeministrit është punë e vështirë. Por, nëse do të isha i kënaqur, atëherë s’do të isha i duhuri për këtë detyrë. Është diçka që duhet të shkojë më tej. Edhe nëse do të isha i kënaqur, sërish nuk do të ndaloja kurrë, pasi kjo nuk më shkon për shtat. E njëjta ndodh edhe në art. Unë vazhdoj të vizatoj”.
I pyetur nga “Die Welt” sa përshtaten të qënurit njëkohësisht protagonist i botës së artit dhe atë të Kryeministrit të një vendi si Shqipëria, Rama thotë se “unë e shoh veten si një refugjat në tregun e artit. Hyj e dal herë pas here prej tij. Unë nuk kam një vend të përhershëm në biznesin e artit. Ai më kujton shumë gjëra të politikës. Çdo gjë është shumë e ngushtë atje. Por edhe një pikëtakimi me njerëz të mëdhenj dhe mundësish të pakufishme”.
Në ekspozitën e titulluar “Puna” që do të hapë javën e ardhshme në galerinë Carlier/ Gebauer në Berlin, Kryeministri tregon se do të ekspozojë letra të pikturuara muri, skica, vizatime, skulptura.
“Për herë të parë do të ekspozoj edhe shënime të një dite normale pune në zyrë. Dhe në Berlin natyrisht nuk do të mungojnë edhe punimet që kam krijuar gjatë takimeve të mia këtu në kryeqytetin gjerman”, shprehet Rama.
I pyetur sesi do të evoluojë Europa, Rama thekson se “do të bëhet shumë më keq, përpara se të bëhet sërish mirë. Për fat të keq, unë s’di ta lexoj filxhanin e kafesë. E di që ka politikanë të tjerë që besojnë se janë të aftë ta bëjnë këtë. Unë nuk u përkas atyre. Me të vërtetë nuk mund të parashikoj të ardhmen”.
Pyetjes se çfarë mund të bëjmë tjetër për demokracinë në Europë, Kryeministri Rama shprehet se “jo edhe aq shumë, për të qenë i sinqertë me ju. Po ju them diçka, nisur nga këndvështrimi im. Deri më sot, ne kemi qenë jashtëzakonisht fatlumë që kemi jetuar dhe punuar në të njëjtën kohë me Kancelaren gjermane Angela Merkel. Sinqerisht shpresoj që ajo do të qëndrojë me ne, në mënyrë që vizioni i saj të mos humbasë lehtë. Dhe unë shpresoj shumë që Gjermania do ta kuptojë se nuk është vetëm përgjegjëse për të ardhmen e fëmijëve gjermanë, por edhe të Europës dhe më gjerë. Bëhet fjalë për çështje fuqie mbi të gjitha”.
“Ne e duam ende Europën. Jemi ende gati të themi “Po”. Jemi ende të dashuruar, pasi nuk jemi martuar ende. Pas martese do të shohim nëse jemi ende të lumtur”, përfundon Rama.