Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi e ftuar në Report Tv, ka deklaruar se qeveria e ka shkatërruar plotësisht ekonominë.
Ndërsa ka theksuar edhe njëherë që Rama duhet të japë dorëheqjen dhe opozita është e gatshme të futet menjëherë në zgjedhje.
‘Për fat të keq koha e batutave të Ramës ka ikur, nuk është më aq trendy. Batutat duhet t’ia lërë të tjerëve, duhet të mendojë si të rrisë ekonominë, si të luftojë korrupsionin dhe të ndalojë eksodin e rinisë shqiptare. Mendoj se në këtë fundvit të lëmë batutat dhe të reflektojmë për 2018, që mendoj se do të jetë një vit i vështirë për shqiptarët.
Drejtësinë shqiptarët e vendosin kudo, unë distancohem nga dhuna që ushtrohet ndaj shqiptarëve dhe kapja e shtetit shqiptar. Mos harrojmë edhe 1992, edhe 1997, pra shqiptarët nuk ta lënë mangut.
Njerëzit kanë filluar të ndërgjegjësohen kanë filluar të ndërgjegjësohen vetë socialistët, që kanë kuptuar se shteti është në dorën e kupole të inkriminuar, shqiptarët janë gjithmonë e më të varfër. Mund të bëni një investigim se sa para kanë paguar shqiptarët për Vitin e Ri dhe çfarë kanë ngrënë.
Shqiptarët kanë shpenzuar edhe në kohën e diktaturës dhe sot jemi në të njëjtën varfëri si në atë kohë, me përjashtim që atëherë i kishim bio.
Rama të japë dorëheqjen dhe jemi gati për zgjedhje që sot.
Jemi gati të shkojmë në zgjedhje, por Edi Rama ka frikë. Kam hall se Erjon Veliaj del më lart se Rama në zgjedhje. Veliaj dhe Rama janë mësuar me Metën duke bërë kompromise, por ka ikur koha e marrëveshjeve politike, tashmë do të jenë institucionale.
Për hir të marrëveshjes dhe të fjalës që jepte Ilir Meta nuk foli për kanabizimin, por fliste me institucionet.
Ne duhet të jemi shumë më të hapur, kjo mungesë transparence na ka sjellë këtu ku jemi, ku imorali shet moral, dhe i moralshmi nuk merret me politikë.
Politika është amorale në raport me qytetarët, pasi ka mungesë transparence. Ne po shikojmë sot se kemi një shkelje të Kushtetutës në mënyrë flagrante dhe ata që shkelin kushtetutën bërtasin më shumë dhe shprehen në favor të reformës në drejtësi. kemi një dokument kundër SHBA dhe ata që bërtasin janë më anti-amerikanët. Themi që do të zhdukim korrupsionin në një kohë kur institucionet e blejnë naftën me 2094 lekë, në një kohë kur çmimi është me 1700, ndërsa duhej ta merrnin me 1500’, tha Kryemadhi.