Ka një kakofoni qëndrimesh opozitare në përballjen e saj me qeverinë. Brenda 24 orëve të fundit tjetër strategji paraqiti kryetari i PD Lulzim Basha në Kuvendin Kombëtar të partisë së tij kundër mazhorancës dhe një qëndrim krejt tjetër ka shpalosur Kryetarja e LSI Monika Kryemadhi në takimet me strukturat dhe anëtarësinë e kësaj partie.
Në fjalën e tij në Kuvendin Kombëtar të PD, Lulzim Basha tha se “sa më shumë shqiptarët të bashkohen rreth nesh, aq më shpejtë do ta shporrim Edi Ramën. Ndaj zgjidhjen kryesore të problemit Rama nuk e gjejmë dot as në rrugë, dhe as në institucione, por tek mendjet dhe zemrat e njerëzve. Nëse njerëzit besojnë tek ne, nëse njerzit do të kenë shpresë tek ne, Edi Rama do të rrëzohet edhe formalisht pasi moralisht dhe politikisht ka rënë me kohë”.
Më herët Kryetarja e LSI Monika Kryemadhi ka deklaruar se “sfida e opozitës është që të dalim me qytetarët në rrugë dhe të rrëzojmë Edi Ramën. Monika me Lul Bashën nuk e rrëzojnë dot vetëm Ramën. Sot ka ardhur koha që të gjithë të dalim dhe ta rrëzojmë”.
Por janë vetë zërat opozitarë që deklarohen kundër kësaj qasje. Ylli Manjani tha se personalizimi i betejës politike është një gabim. “Rama, Basha, Monika, etj. janë të mirë dhe njëkohësisht të këqinj si çdo qenie tjetër njerëzore. Nuk ka njeri pa huqe. Politika nuk mund të kufizohet tek “të mirat” e “të këqijat” personale”,- shkruan Manjani në facebook, duket shtuar se është gabim fatal i ciltdo që sheh shpresë tek përplasja e brendshme e mazhoracës dhe tek personalizimi i politikës.
Në këtë linjë ka qenë edhe kryetari i partisë opozitare PDIU Shpëtim Idrizi, aleate me PD dhe LSI. Ai tha se nuk “e kuptoj sesi mund të meret vendim për të hequr Edi Ramën. A ka ndonjë detyrë tjetër opozita? Detyra është të shpalosë platformën. Shqiptarët sot kanë nevojë për zgjidhje dhe opozita duhet të japë alternativën e saj pse do vijë në pushtet, për të ndryshuar qeverisjen, jo vetëm për të zëvendësuar një emër”.
Kjo tregon se ka një çoroditje brenda opozitës dhe një krizë qëndrimesh dhe strategjish përballë qeverisë dhe Edi Ramës.
Përgatiti: Alpenews.al