Në të njëjtën ditë ku ish-krerët e UÇK-së po përballën në gjykatën e Hagës për krime lufte, kryeministri Edi Rama ka dhënë një lajm për mirë për rivendosjen e drejtësisë për luftën e drejtë të shqiptarëve për liri.
Shqipëria ka arritur që të mbledhë firmat në asamblenë e Këshillit të Europës për mocionin për një rezolutë të re mbi rezolutën e propozuar në 2011 nga Dick Marty për luftën e UÇK-së, ku siç shkruan kreu i qeverisë, pa asnjë fakt u ngritën akuzat e tmerrshme ndaj ushtrisë së lavdishme Çlirimtare të Kosovës për trafikun e organeve njerëzore.
Për kryeministrin Edi Rama, rruga për drejtësi për Kosovën dhe heronjtë e saj të gjallë sot në Hagë, do të jetë e gjatë, por drejtësia do të triumfojë në fund fare, sepse s’ka forcë në botë që ta damkosë si kriminale një luftë çlirimtare.
‘I mblodhëm më në fund firmat në asamblenë e Këshillit të Europës për mocionin për një rezolutë të re mbi rezolutën e vitit 2011, ku pa asnjë fakt u ngritën akuzat e tmerrshme ndaj ushtrisë së lavdishme Çlirimtare të Kosovës për trafikun e organeve njerëzore. Rruga e Drejtësisë për Kosovën, gjakun e derdhur për liri, dëshmorët e UÇK-së dhe heronjtë e saj të gjallë sot në Hagë, do të jetë e gjatë, e mundimshme, madje edhe fyese deri në palcë, por Drejtësia do të triumfojë në fund fare, sepse s’ka forcë në botë që ta damkosë si kriminale një luftë çlirimtare.’- shkruan Rama.


