Nesër paradite do të mblidhet Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore, ndërsa Report Tv ka siguruar një draft të hartuar nga ekspertët që e vendos theksin te reformimi tërësor në tri nivele i administrimit zgjedhor në Shqipëri duke e depolitizuar. Me propozimet e reja, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) riformatohet si institucion me përgjegjësi të ndara, në kompetenca dhe autoritete ushtruese të tyre. Por si do të riformatohet KQZ? Me propozimet e reja, nëse do të arrijnë konsensusin dhe të miratohen në komision;
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përbëhet nga:
Komisioni Rregullator; dhe
Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve.
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve (Komisioneri) është organ monokratik që do të ushtrojë kompetencat ekzekutive, drejton administratën e KQZ-së dhe përfaqëson KQZ-në në marrëdhëniet me të tretët.
Komisioni Rregullator është organi kompetent për miratimin e akteve me karakter normativ në fushën e zgjedhjeve dhe vendosjen e rregullave për zgjedhjet, sipas draftit.
Ndërsa Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) është organ kompetent për shqyrtimin e ankimimeve të subjekteve zgjedhore dhe për vendosjen e sanksioneve për shkelje të Kodit Zgjedhor.
Por pyetja që ngrihet është se si do të zgjidhen drejtuesit? Komisioneri parashikohet që të zgjidhet nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë për një mandat 7-vjeçar, të përtëritshëm. Përzgjedhja e Komisionerit mund bëhet në bazë të eksperiencës së mëparshme të suksesshme në drejtim, të ligjëshmërisë së demonstruar ose të provuar në ushtrimin e detyrave apo funksioneve dhe të reputacionit publik të kandidatit.
Komisioni Rregullator përbëhet nga 5 anëtarë, të cilët zgjidhen nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë për një mandat 5-vjeçar. Kandidati për anëtar i këtij Komisioni Rregullatorit duhet të plotësojë kushtet dhe kriteret për të qenë komisioner. Kriteri i eksperiencës profesionale në drejtim zëvendësohet për kandidatin për anëtar të Rregullatorit me kriterin e eksperiencës profesionale në hartimin, shqyrtimin dhe miratimin e akteve ligjore.
Komisioni i Ankimeve dhe Sanksioneve parashikohet që të përbëhet nga 3 anëtarë, të cilët zgjidhen nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë për një mandat 9-vjeçar. Përzgjedhja e anëtarit të KAS-it bëhet në bazë të eksperiencës së mëparshme të suksesshme, të ligjshmërisë së demonstruar ose të provuar në ushtrimin e detyrave apo funksioneve dhe të reputacionit publik të kandidatit.
“Komisioneri, anëtarët e Komisionit Rregullator dhe anëtarët e KAS-it zgjidhen nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë me jo më pak se tre të pestat e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Në rast se Kuvendi nuk arrin të zgjedhë Komisionerin, apo anëtarë të caktuar të Komisionit Rregullatorose të KAS-it, me shumicën e kërkuar të 3/5 të votave, atëherë administrata e Kuvendit hedh short midis të gjitha kandidaturave të paraqitura për votim Kuvendit për vendin përkatës” thuhet në draft.
Në dy nivelet e tjera të administratës zgjedhore amendamentet përcaktojnë se anëtarë të tyre mund të jenë vetëm zyrtarët zgjedhorë. Për të qenë zyrtar zgjedhor KQZ-ja zhvillon në mënyrë të rregullt programe trajnimi për qytetarët me të drejtë vote për kualifikimin e tyre në ushtrimin e detyrës si zyrtarë zgjedhorë.
Por kush do të jenë komisionerët e zgjedhjeve dhe si do të caktohen?
Shtetasit me të drejtë vote pranohen në programet e trainimit kur gëzojnë statusin e nëpunësit civil, ose plotësojnë kushtet e mëposhtme:
– të zotërojnë gjuhën shqipe, të shkruar dhe të folur;
– të jenë në kushte shëndetësore që i lejojnë të kryejnë detyrën;
– të mos jenë të dënuar me vendim të formës së prerë për kryerjen e një krimi apo për kryerjen e një kundërvajtjeje penale me dashje;
– ndaj tyre të mos jetë marrë masa disiplinore e largimit nga shërbimi civil, që nuk është shuar sipas ligjit për nëpunësin civil;
– të kenë mbaruar arsimin e lartë, ose të jenë të paktën në vitin e fundit të studimeve të ciklit të parë “bachelor”.
Programet e trajnimit si zyrtarë zgjedhorë për nëpunësit civilë janë pjesë e kurrikulës së Shkollës Shqiptare të Administratës Publike (ASPA), janë të detyrueshme për të gjitha nivelet e nëpunësve, organizohen në bashkëpunim me KQZ-në dhe drejtohen nga struktura e KQZ-së e ngarkuar me trainimin e zyrtarëve zgjedhorë.
Për gjithë shtetasit me të drejtë vote që nuk janë pjesë e shërbimit civil, pranimi në programet e trajnimit bëhet pas aplikimit individual nga shtetasit që plotësojnë kushtet ligjore për pranim. Për këta shtetas programet e trajnimit organizohen nga KQZ-ja dhe zhvillohen nga struktura e saj e ngarkuar me trajnimin e zyrtarëve zgjedhorë.
Më pas vijojnë ekspertët “Të gjithë pjesëmarrësit, kur përfundojnë me sukses trainimin si zyrtarë zgjedhorë, pajisen nga KQZ-ja me dëshminë e zyrtarit zgjedhor. Zyrtarët zgjedhorë, pavarësisht se vijnë nga radhët e nëpunësve civilë ose jashtë administratës shtetërore i nënshtrohen vlerësimit të performancës së tyre në zgjedhje, sipas kushteve dhe procedurave që parashikon Kodi Zgjedhor, së bashku me sanksionet përkatëse në rast shkeljeje”.
Caktimi i anëtarëve të Njësisë së Administrimit Zgjedhor (ish KZAZ) – shkurtimisht NJAZ-i- bëhet me short nga personat që janë certifikuar si zyrtarë zgjedhore. Njësia e Administrimit Zgjedhor ngrihet 90 ditë para datës së zgjedhjeve dhe përbëhet nga 4 anëtarë dhe 2 sekretarë. Zyrtarët zgjedhorë të NJAZ-it janë individë të kualifikuar në ushtrimin e përgjegjësive të detyrës, të cilët emërohen nga KQZ-ja, me barazi gjinore, me short, midis personave të trainuar si zyrtarë zgjedhorë. Kryetari dhe zëvendëskryetari i NJAZ-it caktohen nga KQZ-ja në aktin e emërimit, mbi bazën e kriterit profesional, eksperiencës së mëparshme zgjedhore dhe eksperiencës drejtuese administrative. Sekretari i NJAZ-it është përherë me profesionin e juristit. Në ditën e votimit NJAZ-i vepron i ndarë në dy grupe të balancuara (dy anëtar – një sekretar), të cilët qendrojnë në detyrë njeri pas tjetrit dhe ndërrohen me njeri tjetrin çdo 8 orë, deri në përfundim të numërimit të votave dhe nxjerrjen e rezultatit në nivel NJAZ-i.
Njësia e Adminsitrimit të Votimit (ish KQV) – shkurtimisht NJAV-i – është struktura e administratës zgjedhore e ngarkuar me kryerjen e procedurave të votimit në qendrën e votimit. NJAV-i formohet, me përfaqësim të garantuar gjinor, nga tri zyrtarë zgjedhorë: zyrtari mbikëqyrës, zyrtari i qartësimit të votuesve, zyrtari i procedurave të votimit. NJAV-i ka për detyrë të kryejë identifikimin e votuesve përpara votimit, të udhëzojë dhe drejtojë votuesit për ushtrimin individualisht, në liri dhe fshehtësi të së drejtës së votës, të kujdeset për zhvillimin dhe mbylljen e rregullt të procesit, si dhe të ruajë dhe administrojë nën përgjegjësinë e vet materialin zgjedhor.Edhe zyrtarët zgjedhorë të NJAV-it janë individë të kualifikuar në ushtrimin e përgjegjësive të detyrës, të cilët emërohen nga KQZ-ja, me short, midis personave të trainuar si zyrtarë zgjedhorë.
Njësia e Administrimit të Numërimit (ish Grupet e Numërimit të Votave) -shkurtimisht NJAN-i- është struktura e administratës zgjedhore e ngarkuar me kryerjen e procedurave për numërimin e votave. NJAN-i formohet, me përfaqësim të garantuar gjinor, nga dy zyrtarë zgjedhorë.Zyrtarët zgjedhorë të NJAN-it janë individë të kualifikuar në ushtrimin e përgjegjësive të detyrës, të cilët emërohen nga KQZ-ja, me short, midis personave të trainuar si zyrtarë zgjedhorë në sistemin e trainimit të KQZ-së.
NJAN-i bën vlerësimin e votave, numerimin e tyre për çdo subjekt zgjedhor dhe tabulimin e rezultatit të qendrave të votimit. Kompetenca për vlerësimin e votave, numerimin e tyre për çdo subjekt zgjedhor dhe tabulimin e rezultatit të qendrave te votimit është kompetencë ekskluzive e NJAN-it. Vendimmarrja e NJAN-it në ushtrim të kësaj kompetence mund të ndryshohet vetëm sipas procedurës ankimore tëKodit Zgjedhor.
Sipas ekspertëve, amendamnetet e prezantuara për cështjen e administratës dhe administrimit zgjedhor paraqiten njëherësh me modifikime në kuadrin ligjor “Për nëpunësin civil”, lidhur me rekrutimin, karrierën dhe disiplinën, për të lidhur performancën në shërbim të zgjedhjeve me rekrutimin dhe karrierën në shërbimin civil.
Këto amendamente, sipas ekspertëve synojnë që partitë politike ta ruajnë besimin ndaj menaxhimit të zgjedhjeve, jo më nëpërmjet pjesëmarrjes në administrim, por nëpërmjet rritjes së mundësive dhe hapësirës për vëzhgim, forcimit të të drejtave garancive proceduriale për subjektet zgjedhore, si dhe nëpërmjet të drejtës për kontroll a posteriori të dokumentacionit të votimit. Për një gjë të tillëështëi nevojshëm edhe ndryshimi i kapitujve vijues të Kodit Zgjedhor në fuqi.
ODIHR 2019 – Rekomandimi 7
7. Duhet të merren masa efikase për të forcuar më tej metodat e rekrutimit dhe trajnimit të komisionerëve, me qëllim për të garantuar profesionalizmin e tyre. Për rritjen e kapacitetit profesional të komisioneve zgjedhore, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mund të ofrojë trajnime periodike dhe certifikim të komisionerëve të mundshëm, me qëllim krijimin e një regjistri personash të kualifikuar.
ODIHR 2017 – Rekomandimi 9-10
9. Për të forcuar kapacitetet profesionale të komisioneve zgjedhore, KQZ-ja mund të ofrojë rregullisht trajnime me certifikim për anëtarë të mundshëm të KZAZ-ve, KQV-ve dhe grupeve të numërimit, dhe të krijojë një regjistër me personat e certifikuar.
10. Duhen bërë përpjekje për nxitjen e përfaqësimit të baraspeshuar gjinor në të gjitha nivelet e administratës zgjedhore, përfshirë pozicionet vendimmarëse.
ODIHR 2015 – Rekomandimi nr 1.
1. Vëmendje duhet t’i kushtohet rritjes së pavarësisë, paanësisë dhe kapacitetit profesional të komisioneve zgjedhore. Ligji mund të ndryshohet në mënyrë që të lejojë caktimin e komisionerëve jo partiakë në të gjitha nivelet dhe në këtë mënyrë të depolitizohet administrimi zgjedhor. KQZ-ja duhet të zbatojë në mënyrë të paanshme gërmën dhe frymën e ligjit. Kapaciteti i sekretarisë së KQZ-së mund të fuqizohet për të siguruar shkëmbimin e informacioneve thelbësore brenda administratës zgjedhore.
ODIHR 2013 – Rekomandimi 12
12. Duhet të sigurohet pavarësia institucionale e KQZ-së. Për këtë qëllim, palët e interesuara duhet të veprojnë në përputhje me rolin që kanë në aktivitetet e KQZ-së dhe punonjësit zgjedhorë nuk duhet t’i bazojnë veprimet dhe vendimet e tyre nën ndikimin e faktorëve politikë.


