Presidentja në detyrë e Kosovës, Vjosa Osmani do të garojë së bashku me listën e Lëvizjes Vetëvendosja në zgjedhjet e 14 shkurtit.
Lajmi është bërë i ditur gjatë një konference për media nga Vjosa Osmani dhe lideri i LVV-së, Albin Kurti.
“Sapo kemi nënshkruar marrëveshjen e parimeve dhe synimeve politike, marrëveshje kjo për një shtet me drejtësi dhe pa korrupsion…”, tha Kurti.
Ai tha se më 16 janar do ta dorëzojnë listën e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 14 shkurtit.
“Viti 2020 ka treguar se Kosova ka nevojë për kryeministër të ri dhe presidente të re. Ne e kemi presidenten që e ka kryer detyrën me përgjegjësi dhe dinjitet. E ka shprehur integritetin e institucionit dhe unitetin e popullit. Në këto zgjedhje që janë referendum duhet ta rilegjitimojmë këtë”, tha Kurti.
“Ne jemi shumë të bindur se do të arrijmë një fitore plebishitare, që do të mund të krijojmë qeverinë të vetëm, dhe do të kemi mundësinë që të zgjedhim edhe presidentin”, tha Osmani.


