Marrëveshja e Brukselit për drejtësinë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, gjegjësisht për integrimin e gjykatësve dhe prokurorëve nga veriu i vendit në sistemin e drejtësisë së Kosovës, do të duhej të fillojë të zbatohet nga nesër më 17 tetor.
Zyrtarë të Bashkimit Evropian, thonë për Radio Kosovën se të gjitha përgatitjet janë bërë dhe marrëveshja duhet të fuqizohet nga nesër.
Nesër më 17 tetor pritet të fillojë zbatimi i marrëveshjes së Brukselit për drejtësi e cila parasheh që gjykatësit dhe prokurorët serbë në veri të vendit të integrohen në sistemin e drejtësisë së Kosovës.
Zëdhënësja e përfaqësues së lartë për politikë të jashtme dhe siguri, Federika Mogerini, Maja Koçijanic në një përgjigje për Radio Kosovën, bën të ditur se palët kanë bërë të gjitha përgatitjet për fuqizimin e kësaj marrëveshjeje.
“Ashtu siç janë pajtuar presidenti i Kosovës dhe ai i Serbisë me 31 gusht të këtij viti në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE, marrëveshja për drejtësinë pritet të hyjë në fuqi të martën.Të gjithë hapat janë kompletuar për integrimin e personelit gjyqësor serb të Kosovës në gjyqësorin e Kosovës dhe të dyja palët kanë përmbushur detyrimet e tyre në këtë drejtim,” shkruan zëdhënësja Kocijancic.
Se janë bërë të gjitha përgatitjet për këtë marrëveshje thotë edhe kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi. Ai në një përgjigje për Radio Kosovën bën të ditur se nesër pritet të bëhet dekretimi i gjyqtarëve nga komuniteti jo shumicë sipas marrëveshjes së Brukselit.
Ndërkohë Radio Kosova, ka bërë përpjekje të marrë një përgjigje edhe nga Zyra e presidentit të Kosovës, nëse do të fillojë zbatimi i marrëveshjes më 17 tetor dhe nëse do të bëhet dekretimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë, por një gjë e tillë ka qenë e pamundur.
Për fillimin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje, më 31 gusht ishin dakorduar Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandër Vuqiç.
Me fillimin e zbatimit të marrëveshjes së Brukselit për drejtësi, do të shuhen gjykatat dhe prokuroritë serbe në Kosovë, të cilat nga paslufta veprojnë ilegalisht.


