Biznesmeni Idlir Karkini rezulton të ketë marrë jo vetëm poligonin e qitjes së aviacionit Shqiptar në Spille të Kavajës, por edhe dy pasuri të tjerë në këtë zonë. Dosja e prokurorisë së këtij qyteti ka nxjerë në dritë të dhëna rrënqethëse mbi mënyrën e tjetërsimit të tokave në Spille, ku tregohet një skemë kriminale në të cilën janë përfshirë shefa kadastre, drejtues hipoteke dhe deri tek biznesmenë të ndryshëm, të cilët ishin të gatshëm të blinin sipërfaqe toke në zonën bregdetare të Spillesë.”Shqiptarja.com” zbardh të plotë dosjen e prokurorisë së Kavajës, ku është evidentuar se biznesmeni Idlir Karkini, ka përdorur dy punonjësit e kompanisë së tij për të kryer shitje fiktive, të dy pasurive me një vlerë prej 300 milion lekë të vjetra. Nga dokumentacioni që ka administruar prokuroria e Kavajës rezulton se Karkini sipërfaqet e tokës i ka blerë nga dy punonjësit e tij Roland Kërçuku dhe Armand Kaja, të cilët ishin paisur në mënyrë të çuditshme me prokurë përfaqësimi nga dy persona të moshuar Rrahman Qoshja dhe Valbona Elezi.
Kallëzimi i komandës dhe qarku i Tiranës
Ka rezultuar se nga ana e Komandës së Forcës Ajrore dhe nga ana e Komisariatit të Policisë Rrogozhinë është bërë kallëzim penal. Në pronën Poligoni i Qitjes Rreth-Greth me numër pasurie 368 është konstatuar prerje pyjesh dhe pastrim i barishteve nga një grup punëtorësh. Këta punëtorë janë sjellë nga shtetasi Idlir Karkini, i cili ka certifikatë pronësie për këtë sipërfaqe toke në pyllin dhe rërën buzë detit. Në kallëzim pretendohet se kjo tokë është pronë shtetërore në pronësi të Aviacionit shqiptar. Me shkresën nr. 3913 prot., dt. 23.10.2017 të Komandës së Forcës Ajrore/Ministria e Mbrojtjes ka rezultuar se për pasurinë me nr. 368 z.k. 3501 Spille (poligoni i qitjes Rreth-Greth Kavajë) është aplikuar 3 herë pranë sportelit të ZVRPP Kavajë me aplikimet nr. 4706, dt. 28.07.2005; nr. 7298, dt. 13.12.2005 dhe nr. 4835, dt. 04.09.2007 për regjistrimin dhe pajisjen me certifikatë pronësie dhe ndër vite dhe nuk është regjistruar kjo pasuri. Në librin e korrespondencës me postën rezulton: shkresa me nr. 5836, dt.18.11.2015 është marrë dorazi nga ana e shtetasit Fisnik Qosja,i cili sipas deklarimeve të tij, nga viti 2012 –në muajin tetor 2013 ka qenë me detyrë specialist jurist pranë ZVRPP Kavajë dhe nga viti 2014 e në vazhdim është me detyrë jurist i shoqërisë “Idea-Tel”, me administrator shtetasin Idlir Karkini, i cili është përfituesi nëpërmjet shitjeve fiktive të dy pasurive me numër 97/1 dhe 9/2 zëri kadastral 3501 fshati Spille. E pyetur në cilësinë e personit ndaj të cilit zhvillohen hetime, shtetësja Aida Gjoci, ka deklaruar se shkresa me nr.5836 e datës 18 nëntor 2015 është marrë dorazi nga ana e shtetasit Fisnik Qosja, i cili dhe ka nënshkruar te libri i korrespodencës me postën. Nga Këshilli i Qarkut Tiranë, thotë prokuroria e Kavajës, jemi njoftuar se shkresa me nr. 2147 e datës 28 dhjetor 2015 e Këshillit të Qarkut Tiranë drejtuar ZVRPP Kavajë, që ka shërbyer për ndryshimin e zërit kadastral nuk është përgatitur nga institucioni i tyre dhe nuk është dërguar në hipotekën e Kavajës. Ndërsa shkresa me nr. 5836 e datës 18 nëntor 2015 e hipotekës Kavajë, nuk është dërguar fare në Këshillin e Qarkut Tiranë as dorazi dhe as me postë.
Kaja, si mashtroi çiftin e moshuar
Sipas prokurorisë në vitin 2015 aplikohet pranë hipotekës së Kavajës për tu rregjistruar pasuria me nr. 97/1 dhe 97/2 që ndodhet në Spille, që korrespodon me ish-poligonin e qitjes të ndodhur në bregdetin e Spillesë Kavajë. Për rregjistrimin e këtyre dy pasurive janë përdorur AMTP me nr. 1931 e datës 9 dhjetor 2000, në emër të shtetases Valbona Elezi dhe AMTP me numër 1412 të datës 7 dhjetor 2000 në emër të shtetasit Rrahman Qoshja. Të pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni për veprën penale të shtetasit Rrahman Qoshja dhe Valbona Elezi, kanë shpjeguar se nuk kishin dijeni për këto dokumenta. Këto AMTP janë firmosur nga ana e shtetasve Ilir Kaja dhe Agron Xhelezi. Nga hetimi ka rezultuar se pasuria me nr. 97/1 z.k.6501 është rregjistruar në emër të shtetasit Rrahmon Qoshja, i cili në deklarimet e tij ka shpjeguar se në muajin qershor 2015 është takuar me shtetasin Ilir Kaja, të cilit i kishte kërkuar se cili person e ka të rregjistruar tokën te banesa e tij, pasi nuk rezulton me emrin e familjes së tij.Iliri i ka thënë që tokën ku është shtëpia e tij e vjetër, ta rregjistroj unë me hipotekë, por ti duhet të më japësh kartën e identitetit të tij dhe të gruas. I moshuari Rrahman Qoshja i ka dhënë dy kartat e identitetit Ilirit. Pas një muaji Iliri i ka dorëzuar kartën e identitetit në emërin e Rrahman Qoshja, ndërsa për kartën e identitetit të bashkëshortes së tij, Sanie Qoshja, i ka pohuar se i kishte humbur. Në këto kushte bashkëshortja e tij ka palikuar dhe është paisur me kartë identiteti tjetër. Pas disa muajsh që Sanija, ishte paisur me kartë identiteti Iliri e ka takuar dhe i ka thënë që e kishte gjetur kartën e identitetit dhe ja ka dorëzuar Rrahman Qoshjat. Në muajin shkurt 2016 Iliri ka shkuar në banesën e tij, dhe i ka thënë që duhet të paraqitesha te noteri për të bërë një deklaratë noteriale, pasi duhet të paisesha me tokë për sipërfaqen prej 900 metra katrorë dhe jo 1000 metra katrorë. Pas kësaj deklarate është paisur me çertifikatë pronësie për pasurinë me nr.64/12 z.k.3514 me adresë fshati Stërbeg, Kavajë. Të gjitha veprimet janë bërë nga shtetasi Ilir Kaja, ai ka aplikuar në hipotekë ndërsa çertifikata e pronësisë i ka ardhur në shtëpi me zarf. Pasi u njof me ATMP me nr. akti. 1412 të datës 7 dhjetor 2000, ai ka shpjeguar se është hera e parë që e shikon këtë dokument. Gjithashtu Qoshja thotë se nuk e njihte shtetasin Roland Kërçuku, nuk kishte lëshuar asnjë prokurorë të posaçme për këtë shtetas nuk ka shitur asnjë metër katror tokë dhe as ka përfituar asnjë shumë monetare.
Blerja fiktive me 160 mln lekë e poligonit
I pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni për veprën penale ka shpjeguar se nga viti 2015 e në vazhdim është me detyrë inxhinier elektronik pranë shoqërisë “Idea-Tel” me administrator shtetasin Idlir Karkini. Shoqëria ku ai punon, kishte marrë dijeni se shtetasi Rrahman Qoshja ishte pronar i pasurisë me nr. 97/1. Nga ana e shoqërisë pasi është rënë dakord për shitjen e kësaj pasurie është dërguar noteri Julian Zhelegu, i cili kryen të gjitha noterizimin e dokumentave të kësaj shoqërie. Ky noter i ka marrë shtetasit Rrahman Qoshja dhe bashkëshortes së tij një prokurorë të posaçme, ku ata autorizonin Kërçukun, që të kryente të gjitha veprimet e nevojshme të përfaqësimit të tyre që nga rregjistrimi i pasurisë deri në shitjen e kësaj pasurie. Ky veprim është bërë në kuadër të garancisë për premtimin e dhënë për shitjen e kësaj pasurie. “Unë personalisht nuk jam takuar me këta persona dhe nuk i njoh dhe sikur të takohem me ta. Pra kjo prokurorë është bërë në kuadër të garancisë.Prokurën e ka marrë noteri Julian Zhelegu. Pasi është bërë rregjistrimi i kësaj pasurie në bazë të prokurës së posaçme të përpiluar nga noteri Julian Zhelegu është bërë shitja e kësaj pasurie në adresë të shtetasit Idlir Karkini,i cili është administrator i kompanisë ku unë punoj”-ka deklaruar Kërçuku. Pagesa për shitjen e kësaj pasurie është bërë nëpërmjet llogarisë bankare të noterit Julian Zhelegu, i cili pasi ka përfunduar transaksioni dhe është rregjistruar kjo pasuri në emër të Idlirit ka kaluar shumën prej rreth 160 milion lekë të vjetra. Pasi ka bërë tërheqjen e pagesës Roland Kërçuku ja ka dhënë blerësit, punëdhënësit të tij Idlir Karkini. “Me sa kam dijeni ky i fundit ja ka dorëzuar shitësit në rastin konkret shtetasve Rrahman Qoshja dhe bashkëshortes së tij. Dua të shtoj se të gjitha veprimet që unë kam kryer kanë qënë në kuadër të blerjes së pronës në emër dhe për llogari të shoqërisë, ku unë jam i punësuar”-ka pohuar Kërçuku.
“Burri ka nevojë për protezë, ju jap tokë”
E pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni për veprën penale shtetësja Valbona Elezi, ka shpjeguar se në muajin qershor 2015 në banesën e saj ka shkuar shtetasi Ilir Kaja dhe në prani të bashkëshortit të saj, i ka thënë që meqënëse Shyqyriu ka nevojë për ndërhyrje kirurgjikale dhe vendosjen e protezës në këmbë, unë do tju jap 2 mijë metër katror tokë të ndodhur në fshatin Patk-Milot dhe kur të shes këtë tokë do tjua jap gjysmën e lekëve.Ai i ka kërkuar fotokopje të kartave të identitetit të tyre dhe pasi i ka marrë është larguar.Dy muaj më pas Iliri ka kontatktaur në telefon me bashkëshortin e saj, duke i thënë se tek banesa jote po vijnë dy djem, njëri ishte jurist dhe duhet të firmosnin disa dokumenta që të rregjistrohej prona.Në banesë i kanë ardhur dy persona të panjohur prejn të cilët janë prezantuar si shokët e Ilir Kajës dhe i kanë dhënë të firmosnin në disa letra dhe më pas janë larguar. Janë takuar disa herë me shtetasin Ilir Kaja duke e pyetur se çfarë kishte bërë me tokën që i kishte premtuar, por ai i është përgjigjur që nuk është regjistruar akoma toka. Që nga ajo ditë e deri më sot ajo dhe bashkëshorti i sa as nuk kanë marrë dhe as nuk kanë shitur tokë. Pasi është njohur me ATMP nr. akti 1931, dt. 07.12.2000, shtetasja Valbona Elezi ka shpjeguar se është hera e parë që e shikon këtë dokument. Ajo nuk ka nënshkruar në asnjë dokument. Shtetasi Ilir Kaja i ka thënë që “…do të më jepte tokë në kodër të fshatit Patk Milot dhe sipërfaqe prej 2.000 m2 ndërsa në këtë ATMP rezulton sikur unë jam pajisur me 9.400 m2 tokë, gjë që nuk është e vërtetë…”. Ajo nuk e njihte shtetasin Armand Kaja. Ajo nuk ka lëshuar asnjë prokurë për asnjë shtetas që ta përfaqësojë në shitjen e tokave. Pasi u njoh me prokurën e posaçme nr.7907 rep., nr. 2527 kol., dt.02.09.2015 të noterit Julian Zhelegu, ka deklaruar se:“…nuk e njoh Armand Kaja dhe nuk kam lëshuar asnjë prokurë për këtë shtetas as unë…” as bashkëshorti i saj. Te kjo prokurë është shkrimi dhe nënshkrimi i saj dhe i bashkëshortit të saj. Siç shpjegova edhe më lart Iliri ka kontaktuar me bashkëshortin e saj duke i thënë që po vjen një shoku i tij jurist për të firmosur disa dokumente dhe ata kanë firmosur në mirëbesim. Nuk kanë shitur asnjë m2 dhe as kanë përfituar shumë monetare.
Financieri pjesë e skemës së Karkinit
I pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni për veprën penale shtetasi Armand Kaja ka shpjeguar se nga viti 2010 e në vazhdim është me detyrë Përgjegjës i Zyrës së Financës pranë shoqërisë “IDEA TEL” shpk, me administrator shtetasin Idlir Karkini. Shoqëria ku ai është i punësuar si objekt të saj kryesor ushtron veprimtarinë në fushën e shërbimeve të telekomunikacionit, nga viti 2015 është angazhuar dhe në fushën e shërbimit të agroturizmit. Në këtë kuadër shoqëria ka qenë e interesuar për terrene bujqësore dhe turizmi për të ushtruar veprimtarinë e saj. Në këto kushte dhe në çështje besueshmërie e kanë angazhuar për të kryer veprime në lidhje me blerjen e disa sipërfaqe toke në bregdetin e fshatit Spille, Kavajë. Shoqëria kishte marrë informacion që shtetasit Shyqyri Elezi dhe Valbona Elezi, kishin në pronësi një pasuri të ndodhur në fshatin Spille në pasurinë me nr. 97/2 Z.K. 3501 dhe pasi kanë kontaktuar me këta shtetas dhe kishin rënë dakord që pasi të pajiseshin me çertifikatë pronësie do të bëhej shitja e kësaj pasurie nga këta shtetas te shoqëria me administrator shtetasin Idlir Karkini. Nga ana e shoqërisë është dërguar noteri pranë të cilit shoqëria jonë kryen të gjitha shërbimet noteriale. Ky noter i ka marrë shtetasve të mësipërm një prokurë të posaçme ku ata më autorizojnë mua që të kryeja të gjitha veprimet e nevojshme të përfaqësimit të tyre që nga regjistrimi i pasurisë deri në shitjen e kësaj pasurie. Ky veprim është bërë në kuadër të garancisë për premtimin e dhënë për shitjen e kësaj pasurie.
Unë personalisht nuk jam takuar me këta persona dhe nuk i njoh edhe sikur të takohem me ta. Pra, kjo prokurë është bërë në kuadër të garancisë. Prokurën e ka marrë noterin. Pasi është bërë regjistrimi i kësaj pasurie në bazë të prokurës së posaçme të përpiluar nga noteri Julian Zhelegu ka bërë shitjen e kësaj pasurie në adresë të shtetasit Idlir Karkini, i cili është administratori i shoqërisë ku unë jam i punësuar.
Blerja fiktive me 140 mln lekë e pronës së ditë
Pagesa për shitjen e kësaj pasurie është bërë nëpërmjet llogarisë bankare të noterit Julian Zhelegu, i cili pasi ka përfunduar transaksioni dhe është regjistruar kjo pasuri në emër të Idlirit ka kaluar shumën rreth 1.400.000 (një milion e katërqind mijë) lekë të rinj. Më pas ka bërë tërheqjen e pagesës dhe ia ka dorëzuar blerësit punëdhënësit të tij Idlir Karkini, dhe me sa kam dijeni ky i fundit ia ka dorëzuar shitësit, në rastin konkret shtetasve Shyqyri Elezi dhe Valbona Elezi. Dua të shtoj se të gjitha veprimet që unë kam kryer kanë qenë në kuadër të blerjes së pronës në emër dhe për llogari të shoqërisë ku unë jam i punësuar. Gjithashtu në praktikat me referencë nr. 003140, në emër të Valbona Elezit dhe nr. 003141, në emër të Rrahmon Qoshja, të përfunduara të dyja në dt. 15.05.2016, rezultojnë të administruara dy vërtetime: një për shtetasin Rrahmon Qoshja dhe një për shtetasen Valbona Elezi sikur këta dy shtetas i kanë paguar detyrimet e tokës për vitin 2016 pranë Komunës Kryevidh. Ndërkohë që nga muaji shtator 2015 vula e Komunës Kryevidh është asgjësuar dhe është zëvendësuar me vulën e Njësisë Administrative Kryevidh. Pra këto dy vërtetime janë të falsifikuara. Në lidhje me këto dy vërtetime shtetasi Tomorr Elmadhi me detyrë përgjegjës i zyrës së financës pranë Njësisë Administrative Kryevidh dhe shtetasi Marjur Kaja me detyrë Administrator i Njësisë Administrative Kryevidh, deklarojnë se nuk janë lëshuar nga ana e tyre këto dy vërtetime dhe nuk kanë dijeni se cili person ka nënshkruar në emër të tyre. Si dhe vula nuk është e njësisë administrative por me logon e Komunës Kryevidh.
Karkini vijon ofensivën për tjetërsimin e tokave
Shtetasi Idlir Karkini vazhdon të përfitojë toka duke përdorur si noter shtetasin Julian Zhelegu, konkretisht pasurinë me nr. 42/28 z.k. 3175 fshati Rreth-Greth, në emër të shtetasit Hajrun Çullhaj. I pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni për veprën penale shtetasi Hajrun Çullhaj ka shpjeguar se “në vitin 1991 kam qenë banues në fshatin Stërbeg, Kavajë dhe në bazë të Ligjit nr. 7501, viti 1991 “Për tokën”, jemi plotësuar me tokë sipas normës për frymë. AMTP-ja është plotësuar në emrin tim si kryefamiljar. Me sa më kujtohet, ne jemi pajisur me tokë, norma për frymë ka qenë 4.500 m2”. Në vitin 2016 nuk ka aplikuar dhe as ka dorëzuar asnjë dokumentacion. Pasi u njoh me AMTP-në me numër akti 1907, dt. 07.12.2000, ka shpjeguar se është hera e parë që e shikon këtë dokument. As nuk ka nënshkruar në asnjë dokument. Ai është pajisur me tokë që në vitin 1991, më pas nuk ka marrë asnjë m2 tokë e as ka shitur tokë. Ai nuk e njeh shtetasin Budjan Kola. Gjithashtu ka shpjeguar se në muajin tetor 2017, në fshatin Spille është takuar me shtetasin Agron Xhelezi, i cili i ka kërkuar kartën e tij të identitetit, atë të vajzës dhe të bashkëshortes dhe i ka thënë që së bashku do të shkonin në Kavajë për të firmosur disa letra, pa idenë se çfarë letrash. Së bashku me një person tjetër të cilin e ka çuar Agroni me makinë, kanë ardhur në Kavajë te zyra e një noteri, emrin e të cilit nuk e di dhe ai, së bashku me bashkëshorten dhe vajzën kanë firmosur disa letra. As noteri dhe as Agroni nuk i kanë shpjeguar përse ishin këto letra që firmosën dhe sot nuk ka dijeni se për çfarë kanë firmosur. I pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni për veprën penale, shtetasi Budjan Kola ka shpjeguar se shtetasin Azem Çullhaj nuk e njeh fare, ndërsa shtetasin Hajrun Çullhaj e njeh si person që pret dru me motorsek, por nuk ka njohje apo shoqëri me të. “Në muajin tetor 2016 shtetasi Ilir Kaja më ka thënë që dua të bëj një prokurë të posaçme për ty, por pa më thënë se nga cili person apo për çfarë duhej kjo prokurë. Në fillim të muajit nëntor 2017, shtetasi Ilir Kaja më ka telefonuar dhe më ka thënë që të shkoja në Tiranë. Jam takuar te “Zogu i Zi” me Ilirin dhe të dy së bashku kemi shkuar te zyra e një noteri, emrin e të cilit nuk e di. Rrugës Iliri më ka thënë që të kam thërritur për të firmosur disa letra. Kur shkuam te zyra e noterit, ai më ka kërkuar kartën e identitetit dhe më ka vënë përpara disa dokumente të plotësuara më parë nga ai dhe më ka thënë që të firmosja në çdo fletë, pa pasur dijeni se për çfarë kam firmosur”. Pasi ka mbaruar së firmosuri, së bashku me Ilirin janë larguar. Ai nuk ka dijeni se për çfarë ka firmosur dhe se çfarë dokumentesh kishte noteri. Nga hetimi rezulton se shtetasi Budjan Kola ka qenë në rolin e shitësit me prokurë në kontratën me nr. 9991 rep., nr. 3440 kol., nr. 9996 rep., nr. 3445 kol., nr. 9997 rep., nr. 3446 kol., nr. 9995 rep., nr. 3444 kol., të datës 03.11.2017 të noterit Julian Zhelegu. Në të gjitha këto praktika gjenden vërtetime të Njësisë Administrative Kryevidh pa numër protokolli të datës 02.11.2017, me administrator Shkëlqim Gjoni.
“Prashiste fasulet ju premtua 2000 m tokë”
Në deklarimin e tij të datës 02.02.2018 shtetasi Budjan Kola shpjegon se para 3-4 vitesh ka qenë duke prashitur groshë te tokat që ka në fshatin Domen, Kavajë, kur është takuar me shtetasin Ilir Kaja, i cili i ka thënë që “..a të bëj letrat për 2.000 m2 pyll në emër të gjyshes së bashkëshortes tënde”, e cila quhet Vezihane Elmadhi, “dhe ti të marrësh ndonjë lek…”. I ka thënë që “…bëje se jam dakord…”. Iliri i ka kërkuar kartën e identitetit të Vezihanes dhe të tijën. Pasi i ka dorëzuar kartat e identitetit, si nuk e di se çfarë dokumentesh ka bërë shtetasi Ilir Kaja. Në verën e vitit 2016, Iliri ka shkuar në fshatin Domen së bashku me një noter nga qyteti i Kavajës, i cili quhet Arbër, mbiemrin nuk ia di, dhe i ka marrë shenjën e gishtit Vezihanes në një prokurë të posaçme, ku ajo e emëronte si përfaqësuesin e saj. Këtë fakt e ka marrë vesh rreth muajit tetor 2016, nga shtetasi Ilir Kaja, i cili i ka thënë që ai, së bashku me noterin i kishin marrë prokurën Vezihanes dhe ai si përfaqësuesi i saj do të bënte shitjen. Së bashku me Ilirin kanë shkuar në zyrën e noterit në qytetin e Kavajës. Para se të futeshin në zyrë e noterit, Ilir Kaja i ka dhënë shumën prej 1 milion lekë të vjetra dhe i ka thënë që ai vetëm do të firmoste disa dokumente te noteri, për të cilën do të bëhej shitja e 2.000 m2 pyll të Vezihanes. Te zyra e noterit ishte ai, Iliri dhe noteri i cili quhet Arbër. Noteri i ka dhënë disa dokumente për të firmosur. Budjani ka firmosur, por pa parë se çfarë ishte shkruar dhe nëse ishin të gjitha fletët të shkruara në kompjuter apo fletë të bardha, se shumicën e firmave e ka hedhur në fund të fletëve, pasi noteri i thoshte që të firmoste në disa fletë. “…dua të shtoj se te zyra e noterit në Kavajë kam qenë vetëm një herë në fillim të muajit tetor 2016…”. Pasi është njohur me kontratën për shitblerjen e pasurisë me nr. 1021 rep. dhe nr. 790 kol., dt. 03.10.2016 ku blerës është shtetasi Shkëlqim Bërnaca dhe kontratën me nr. 1090 rep. dhe nr. 848 kol., dt. 04.11.2016 ku blerës është biznesmeni Edmond Mara, shtetasi Budjan Kola ka shpjeguar se ai vetëm ka firmosur te noteri në prani të tij dhe në prani të shtetasit Ilir Kaja./Shqiptarja.com
Vijon nesër…