Spanja ka regjistruar rritjen e saj të dytë të njëpasnjëshme ditore në numrin e vdekjeve nga koronavirusi, sipas të dhënave nga Ministria e Shëndetësisë lëshuar ditën e sotme.
Shifrat tregojnë se 757 pacientë vdiqën në 24 orët e fundit, nga 743 vdekje të regjistruara një ditë më parë.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në vend, 14.555 njerëz kanë humbur jetën nga Covid-19 në Spanjë.
Numri i rasteve gjithashtu është rritur nga 83,504 në 84,111, një rritje prej 610, që është më e ulta në gati një muaj.
Ministria e Shëndetësisë gjithashtu raportoi se 48.021 njerëz tani janë shëruar nga virusi, 4,813 më shumë sesa numri i raportuar të martën e 7 prillit.
Zyrtarët spanjollë nuk raportuan numrin e pacientëve në kujdesin intensiv (ICU), hera e parë që kjo ka mbetur jashtë që nga fillimi i raportimit. Kjo për shkak se Ministria e Shëndetësisë dëshiron që të 17 rajonet e Spanjës të raportojnë rastet e akumuluara të pacientëve të tillë, por thotë se pesë rajone kanë raportuar vetëm numrin aktual të pacientëve në ICU sesa numrin e grumbulluar.
Ministria tha që do të raportonte përsëri shifrat e NjQH-së, pasi të gjitha rajonet do t’i raportojnë ato në të njëjtën mënyrë.