Kryeministri Edi Rama thotë se është i ndërgjegjshëm për vështirësitë ekonomike që ka sjellë koronavirusi. Në një komunikim nga Facebook, Rama tha se nuk duhet të nënvlerësohet rreziku nga koronavirusi. Sipas tij, kryesore në këto ditë është jeta e njeriut.
Edi Rama:Dhimbjet nga pasojat e natyrës ekonomike janë të konsiderueshme, por askush të mos harrojë që halli i halleve këtu është jeta e njerëzve. E shoh që shumë nga ju e kanë harruar. E shoh që shumë nga ju thonë që do vdesim për bukë, do vrasim veten për bukë se koronavirusi nuk na bën asgjë. Jo koronavirusi ne na luan fenë, siç ja luajti fenë shumë të tjerëve shumë më të fortë se ne. Por arsye pse deri sot nuk na ka bërë asgjë është se ne jemi mbrojtur shumë më fortë dhe shumë më mirë se shumë të tjerë më të zgjuar dhe më të fortë se ne. Por do të ishte fatale që ju të mos e mbani parasysh që armiku nuk ka ikur, është vërdallë. Në momentin që ne i hapim një shteg, na bën gjëmën që kemi shmangur deri tani. Unë këtë nuk kam për ta lejuar.
Kreu i qeverisë tha se në Shqipëri që nga koha e Skënderbeut nuk ka vdekur askush për bukën e gojës. Ndihmat tha Rama për njerëzit në nevojë kanë qenë si asnjëherë më parë.
Edi Rama: Për bukë në Republikën e Shqipërisë jo e jo, por në trojet shqiptare, që nga koha e Skënderbeut nuk ka vdekur kush ndonjëherë, kurrë shqiptar të vdekur për bukë nuk ka në historinë e Shqipërisë. Sepse është bukë, krypë dhe zemër historia e Shqipërisë. Në këtë vend ka solidaritet, ka gjithmonë një ndihmë. Në këtë vend po ndihmohen sot njerëzit më në nevojë siç nuk mund të imagjinohej ndonjëherë më parë.


