Mjeku i njohur, Artan Koni, ka folur ditën e sotme në lidhje me dëmtimet që shkakton koronavirusi tek organet e pacientëve të infektuar. Ai shprehet se nuk duhet të shqetësohemi, pasi si për mushkëritë, veshkat apo zemrën, këto dëmtime janë të përkohshme dhe të rikuperueshme.
Sipas mjekut, rrallë ndodh që dëmtimi si pasojë e koronavirusit të jetë permanent. Koni nënvizoi që ende nuk ka fakte të shumta shkencore për këtë gjë. Gjatë lidhjes me “Skype” në “News24”, ai u pyet nëse është e vërtetë që ky virus shkatërron ndër të tjera më së shumti veshkat?
“Po është e drejtë, duhet të kemi parasysh në pjesën e luftës që i bën trupi virusit, kemi edhe dëme kolaterale, dëmtohen nga ato qeliza që luftojnë virusin dëmtohen edhe organe të ndryshme, veshka, mëlçia, zemra.
Zakonisht në shumicën e rasteve këto dëmtime janë të rikthyeshme. Besoj se edhe për këtë virus kështu do jetë, patjetër që nuk kemi shumë informacion nga të dhenat shkencore, që janë të kthyeshme këto dëmtime të veshkave që bën ky virus, se nuk kemi publikime shkencore, por besoj se kështu do jetë, nuk do na lejë me pasoja, do jenë dëmtime momentale që do riparohen me kalimin e kohës”, tha ai.
Keni parasysh edhe ndërhyrje kirurgjikale me dëme të riparueshme?
|Kur themi për dëmtim, do të thotë një zvogëlim në funksionin e vetë të veshkës, që kalon vetëvetiu, pra veshka ripërtërin veten gradualisht me kalimin e javëve dhe muajve, që nuk ka nevojë për kurë apo ndërhyrje kirurgjikale.
Pak a shumë si dëmtimi që ndodh te mushkëria, shumica janë dëmtime të përkohshme, rrallë janë permanente, ashtu sikurse me gripin, dhe nga gripi dëmtohet mushkëria, por kalon pas pak javëve”, përfundoi mjeku.


