Bota ka mbi 1 milion të prekur nga Covid-19 dhe teoritë sesi u përhap janë të shumta.
Virusi vdekjeprurës u shfaq për herë të parë në Kinë, në provincën Wuhan por deri më sot nuk ka diçka të qartë sesi lindi dhe u shpërnda kaq shumë në masë, pothuajse në të gjithë botën.
Por një profesor në Gjermani, rrëzon atë që kemi menduar deri më sot për këtë pandemi.
Një qytezë me 41 mijë banorë në Heinsberg është një nga vatrat më të nxehta të pandemisë në Gjermani.
Mbi çështjen ”Heinsberg” është botuar një raport që është përpiluar nga profesor Hendrik Streeck, virolog i Universitetit të Bonit, me një qasje që kujton hetimet e policisë.
Rezultatet janë deri diku befasuese dhe ndryshojnë bindjet që njerëzimi ka për Covid-19.
Profesor Streeck thotë se në hulumtimin e bërë “nuk kemi patur asnjë infeksion që ishte marrë në një dyqan, ose në një mjet publik”.
Profesori bën edhe shembullin e gruas kineze që nga Bavaria kishte shpërndarë më pas virusin në Itali. Gati në mënyrë të pabesueshme, asnjë person në aeroplanin e saj dhe në hotel ishte infektuar më vonë.
”Janë eventet masive që shkaktojnë vatrat e rrezikshme”, thotë ai, duke vënë re se festimi i Karnavaleve në Këln, qytet afër Heisnbergut, kishin përhapur virusin në atë qytezë, ashtu siç kishte ndodhur me ndeshjen Atalanta-Valencia në Itali dhe Spanjë.
Sipas tij, duke mbajtur gjithmonë distancat dhe rregullat higjienike bazë, jeta mund të rifillojë deri diku normalisht, sepse “vdekja e disave nuk mund të vej në rrezik mundësinë e mbijetesës e të tjerëve”, dhe se qeveritë duhet të investojnë në testime, sepse vetëm këto mund të lokalizojnë vatrat dhe t’i “shuajnë” ato.