Një nga ekspertët më të mirë amerikanë të shëndetit publik ka thënë se koronavirusi do të jetë mes nesh për një kohë të gjatë, edhe pse Presidenti Trump tha se COVID-19 do të kalojë pa vaksinë.
Mjeku Tom Inglesby tha se ka mundësi që vetëm një përqindje e vogël e popullsisë të jetë infektuar deri më tani, që do të thotë se shumica e njerëzve janë të ndjeshëm ndaj virusit.
Inglesby është drejtori i Qendrës për Sigurinë Shëndetësore në Shkollën e Mjekësisë John Hopkins-Bloomberg.
Ai tha se bëhet fjalë për një “virus me të vërtetë të keq”, dhe se në Shtetet e Bashkuara një numër i madh njerëzish nuk testohen dhe nuk kërkohen kontaktet e atyre që dalin pozitivë, të cilët mund të jenë të infektuar.
Inglesby paralajmëroi për rrezikun e rihapjes së ndërmarrjeve dhe kthimin e në aktivitete “si më parë”, gjë që do të çojë në rritjen e “ndërveprimit shoqëror, përhapjes më të shpejtë të virusit dhe një numri më të madh të personave të infektuar”.
Duke komentuar deklaratën e Trump se virusi “thjesht do të zhduket”, Inglesby thotë se koronavirusi do të mbetet problem i theksuar në gjithë botën derisa të mos ketë vaksinë.
“Jo, ky virus nuk do të zhduket. Le të shpresojmë të jetojmë me të dhe të jemi në gjendje të zvogëlojmë rrezikun e transmetimit. Por virusi do të mbetet një problem në SHBA dhe në mbarë botën derisa ta kemi vaksinën”, u shpreh ai.


