Koreja e Veriut ka konfirmuar për herë të parë se ka dërguar trupa për të mbështetur Rusinë në luftën kundër Ukrainës, në bazë të një traktati të mbrojtjes reciproke mes dy vendeve. Lajmi u bë publik nga agjencia shtetërore koreano-veriore KCNA, e cila njoftoi se dislokimi u krye me urdhër të Kim Jong-un dhe ka ndodhur në rajonin e Kurskut në territorin rus.
Departamenti Amerikan i Shtetit shprehu shqetësim për përfshirjen e drejtpërdrejtë të Koresë së Veriut në luftën në Ukrainë, duke e cilësuar vendosjen ushtarake si të papranueshme dhe duke kërkuar përfundimin e menjëhershëm të mbështetjes ndaj Rusisë, raporton La Repubblica.
“Ne mbetemi të shqetësuar për përfshirjen e drejtpërdrejtë (të Koresë së Veriut) në luftë. Dislokimi ushtarak në Rusi dhe çdo mbështetje e dhënë nga Federata Ruse në këmbim duhet të përfundojë,” tha një zëdhënës i Departamentit të Shtetit, duke shtuar se vendet e treta si Koreja e Veriut “mbajnë përgjegjësi” për luftën.


