Një plagosje me armë zjarri ka ndodhur mbrëmjen e sotme në hyrje të qytetit të Korçës. I plagosur ka mbetur 39-vjeçari Mina Zoja i cili sapo ishte kthyer nga Gjermania ku jeton prej vitesh. Burimet nga policia bëjnë me dije se fillimisht ka pasur përleshje midis 39-vjeçarit dhe 8 personave të tjerë.
Pasi e kanë goditur 39-vjeçarin, ata janë larguar me shpejtësi. Më pas janë kthyer dhe e kanë qëlluar me armë në këmbë. Mina Zoja nuk ka dhënë informacione përpara uniformave blu. Forca te shumta ne vendin e ngjarjes, janë ngritur postbllok ne akset kryesore. Shkak dyshohet të jetë bërë një konflikt i vjetër. Po punohet për zbardhjen e ngjarjes.
Njoftimi i policisë:
Më datë 19.12.2017, rreth orës 18.05, jemi njoftuar se në Spitalin Rajonal të Korçës, ka shkuar i plagosur me armë zjarri në këmbë shtetasi M.Z, rreth 39 vjeç, banues në Korçë.
Nga të dhënat e para si edhe deklarimet e marra këtij shtetasi, dyshohet se ngjarja ka ndodhur në hyrje të Korçës, përgjatë aksit rrugor Korçë-Ersekë, ku ky shtetas është qëlluar nga një person ende i paidentifikuar, i cili ka mundur të largohet me shpejtësi nga vendngjarja, me një mjet.
Aktualisht ky shtetas ndodhet nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën. Policia e Korçës ka shoqëruar disa persona në Komisariat, të dyshuar si autorë të kësaj ngjarje. Grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.