Burime për Report Tv nga Prokuroria e Posaçme bëjnë me dije se vendimi i GJKKO-së për kontrollin në kampin e MEK dhe sekuestrimi i materialeve dhe dokumentacionit ka ardhur nga jashtë Shqipërisë.
Ndërkohë të gjitha provat e sekuestruara po eksportohen. Nuk përjashtohet mundësia të ketë edhe urdhër-arreste. Veprimtarinë dyshohet se e kanë kryer jashtë Shqipërisë.
Sakaq, 6 drejtues të organizatës MEK janë vënë nën hetim nga policia e Durrësit, pasi u përplasën një ditë më parë me efektivët e policisë, gjatë kontrollit të kësaj të fundit me urdhër të GJKKO-së, brenda kampit të muxhahedinëve në Manzë të Durrësit.
Nën hetim janë vënë H.N., 73 vjeç; M.B., 72 vjeç; A.A., 72 vjeç; B.S., 63 vjeç; A.A., 61 vjeç dhe D.F., 70 vjeç. Ata po procedohen penalisht në gjendje të lirë, për veprat penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” , “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Shkatërrimi i pronës” dhe “Pengime për ekzekutimin e vendimeve të gjykatës”.


