Presidenti Ilir Meta do të mbledhë sot Këshillin e Sigurisë, ku do të diskutohet mbi situatën n Ukrainë, në një kohë ku konflikti me Rusinë ka precipituar ndjeshëm, ndërsa SHBA ka paralajmëruar për një pushtim të mundshëm brenda pak ditësh. Mbledhja do të zhvillohet në orën 16:00.
Këshilli i Sigurisë përbëhet nga 14 anëtarë, kryetari i Kuvendit, kryeministri, 7 ministra, i mbrojtjes, drejtësisë, punëve të brendshme, financave, transportit, punëve të jashtme dhe energjisë dhe kryesohet nga Presidenti i Republikës. Ndërkohë bëhet me dije se nuk do të jenë të pranishëm në këtë mbledhje Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Jashtme, Olta Xhaccka, të cilët ndodhen që prej ditës së djeshme në SHBA, ku do të marrin pjesë sot në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ku Shqipëria është anëtare e përkohshme.
Ndërkohë Ministria e Jashtme ka rikonfirmuar edhe njëherë sot pozicionin e Shqipërisë mes konfliktit Rusi-Ukrainë. Me një postim në Twitter, Ministria bën me dije se vendi ynë mbështet sovraniteti dhe integritetin territorial të Ukrainës. Po ashtu i bëhet thirrje Rusisë që të de-përshkallëzojë konfliktin dhe të zgjidhë situatën në mënyrë diplomatike.
“Në këtë situatë të vështirë dëshirojmë të riafirmojmë edhe një herë mbështetjen e Shqipërisë për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës. Ne ripërtërijmë thirrjen tonë që Rusia të de-përshkallëzojë dhe të zgjidhë situatën në mënyrë diplomatike”, thuhet në postim.


