Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm në Konferencën Rajonale që po mbahet në Tiranë“Përshpejtimi i Reformave të Kujdesit për Fëmijët drejt Anëtarësimit në Bashkimin Europian”, ku morën pjesë përfaqësues nga vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi.
Gjatë fjalës së tij, kryeministri tha se garancia evropiane për fëmijët është një financim i veçantë për të ecur në shinat e paracaktuara, një përgjigje gjithashtu që sipas tij, shkon për ata që thonë se nuk ka çfarë duhet BE. Rama shtoi se Shqipëria ka bërë një progres të dukshëm në këtë aspekt.
“BE ka përcaktuar financim të vecantë që ndihmon vendet anëtare për të ecur në shinat e paracaktuara përmes dokumentit të garancisë evropiane dhe zbatuar masa konkrete në reduktimin e varfërisë së fëmijëve dhe nga ana tjetër në ngushtimin e hendekut që është tejet shqetësuses në të gjithë hapësirën evropaine, sidomos si rezultat i goditjes që i dha pëlhurës sociale pandemia e disa viteve më parë.”, u shpreh kryeministri.
Rama tha se synojnë gjithashtu që të bëjnë një “hop” për të rritur financimin ndaj 16 mijë fëmijëve me aftësi të veçanta. Kreu i qeverisë tha se kjo kategori janë përfitues të skemave të reja të mbështetjes, por shtoi se meritojnë një rritje dhe vëmendje më të shtuar nga ana e institucioneve përkatëse. Po punohet gjithashtu për të rritur numrin e mësueve speciale, tha kryeministri, ndërsa përmendi edhe klasat e para mësimore për të gjithë fëmijët që ndodhen të shtruar në spital .
“Një nga pikat kyçe synojmë të bëjmë një hop sasior dhe cilësor në financim dhe organizim dhe ndërveprimit me partnerët e tjerë është adresimi i situatës së 16 mijë fëmijëve me aftësi të veçanta, të cilët janë përfitues të skemave të reja të mbështetjes, por të cilët besoj unë në këtë fazë dhe kushtet kur mundësitë tona ekonomike rriten meritojnë rritje të mbështetjes nga ana jonë.”, shtoi kryeministri.
Një objektiv tjetër i rëndësishëm është rritja e fondit social, tha Rama, duke shtuar edhe aktivitetet sportive dhe kulturore për fëmijët. Rama përmendi programin për dhënien e ushqimit në shkolla nga bashkitë, ndërsa shtoi se synojnë që të zgjerojnë mbështetjen për nënat që janë kryefamiljare.
Sipas Ramës, fondi për mbrojtjen sociale është dyfishuar nga 130-260 milionë euro.
“Rritja e fondit social e rëndësishme dhe besojmë se e gjithë gama e aktiviteteve sportive dhe kulturore për fëmijët është e rëndësishme dhe zgjerimi i saj është objektiv i yni. Ka një shifër që do të doja ta ndaja, që kemi dyfishuar nga 130-260 mln euro fondin për mbrojtjen sociale ashtu sikundër sot ministria e Shëndetësisë disponon një fond rekord për shëndetësinë e mbrojtjes sociale në rendin e 1 mld eurove.”, u shpreh Rama.
Në fund, kreu i qeverisë kërkoi që me këtë iniciativë rajonale të rritet edhe bashkëpunimi mes vendeve për të krijuar një “hapësirë” të përbashkët për fëmijët.


