Po mbahet në Vlorë Konferenca e Kryetarëve të Gjykatave të Larta të Evropës Qendrore dhe Lindore. Konferenca organizohet nga Gjykata e Lartë shqiptare, në bashkëpunimin me CEELI Institute, ku marrin pjesë mbi 20 kryetarë dhe gjyqtarë të lartë si dhe presidenti Bajram Begaj dhe ministri i drejtësisë Ulsi Manja.
Fjalën hapëse e mbajti kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, i cili e nisi duke theksuar rëndësinë e mbajtjes së kësaj konference pikërisht në Vlorë, aty ku u hodhën themelet e shtetit modern shqiptar.
“Prandaj Vlora bart një simbolikë të veçantë për drejtësinë që synojmë të ndërtojmë: një drejtësi të pavarur dhe bashkëkohore. Ky vend na kujton se pavarësia nuk është vetëm çlirim territorial, por mbi të gjitha çlirim i mendjes dhe i institucioneve nga çdo influencë që synon të cenojë parimet e drejtësisë.”, theksoi Sadushi.
Si ‘moto’ të këtij takimi, Sadushi theksoi ‘drejtësia që duam është një drejtësi pa kompromis’, teksa përmendi edhe faktin se jemi dëshmitarë të kalimit nga shteti i diktaturës në atë të së drejtës. Theksoi gjithashtu se konferenca po zhvillohet në një kohë kur gjyqësori përballet me sfida që shkojnë përtej kufijve kombëtarë,
“Jemi këtu jo vetëm për të diskutuar sfidat, por për të ofruar zgjidhje konkrete, për të krijuar mekanizma të përbashkët dhe për të forcuar besimin te institucioni më i vyer i demokracisë – gjykata. Duhet t’u tregojmë qytetarëve se nuk ka vend për kompromis, kur vjen fjala te paanshmëria dhe integriteti profesional. Ne ndajmë jo vetëm jurisprudencën, por edhe kurajën për të mbrojtur të vërtetën, pa u trembur nga asnjë presion, cilado qoftë natyra e tij. Vetëm kështu do të rrisim besimin e çdo qytetari se Gjykata e Lartë është strehë drejtësie dhe se pas çdo objektivi të ligjit qëndron njeriu, dinjiteti dhe e drejta e tij për një vendim të drejtë”, tha Sadushi.
Presidenti Bajram Begaj, në fjalën e tij, u ndal te përgjegjësia që kanë gjyqtarët e gjykatave të larta, duke theksuar rolin e tyre si garantë të drejtësisë si edhe rëndësinë e ruajtjen së pavarësisë gjyqësore si themel i demokracisë.
“Në këtë kontekst, pavarësia e sistemit gjyqësor ka rëndësi jetike. Ajo nuk është privilegj apo ekskluzivitet i një posti, por themel i demokracisë, garanci e paanshmërisë së gjykimit dhe kusht i domosdoshëm për një drejtësi që u shërben qytetarëve.”, tha Begaj, teksa shtoi se mbështet punën e institucioneve të pavarura të drejtësisë.
Teksa përmendi si sfidë numrin e lartë të çështjeve të mbartura, Begaj u ndal edhe te anëtarësimi në BE dhe roli që ka sistemi gjyqësor në këtë proces.
“Shqipëria është duke ndërmarrë hapa të shpejtë dhe vendimtarë në kuadër të anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Procesi i harmonizimit të legjislacionit të brendshëm me atë të BE-së kërkon angazhimin maksimal dhe të trupës gjyqësore. Gjyqtari nuk është thjesht zbatues i ligjit, por një aktor aktiv në përafrimin e standardeve juridike të vendit tonë me ato të BE-së nëpërmjet jurisprudencës.”, shtoi Begaj.
Ndërkohë, ministri Manja përmendi se kanë ndërmarrë një ndër investimet më të mëdha në dixhitalizimin e sistemit gjyqësor përmes ngritjes së Sistemit të Integruar të Menaxhimit të Çështjeve Gjyqësore (ICMIS). Theksoi gjithashtu se në vitin 2027, Shqipëria do të presë edhe Kongresin Botëror të Drejtësisë.
“Qeveria Shqiptare nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë ka siguruar planifikimin e duhur buxhetor afatmesëm (për shumën totale 1,059,950 mijë lekë (10,75 milion Euro)) dhe janë siguruar fondet e duhura në Buxhetin e vitit 2025 për të siguruar implementimin dhe financimin e plotë të këtij Sistemi për gjyqësorin shqiptar. Ky investim, së bashku me mbështetjen mbi 7.5 milion Euro nga Bashkimi Evropian dhe mbi 1.8 milion Euro nga Suedia, sigurojnë që brenda pak vitesh i tërë sistemi i drejtësisë të shërbehet nga sisteme moderne dhe të jetësojë e-Drejtësinë (Drejtësinë Digjitale), me impakt të drejtpërdrejt për publikun shqiptar.”, tha Manja.
Kjo konferencë do të vijojë edhe nesër më 10 qershor. Të pranishëm janë mbi 20 kryetarë dhe gjyqtarë të lartë nga Evropa Qendrore dhe Lindore, si dhe përfaqësues të CEELI Institute dhe gjyqtarë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ky është një ndër forumet më të rëndësishme gjyqësore i këtij niveli, që i jep njëkohësisht Shqipërisë një rol qendror në diskutimet mbi pavarësinë e drejtësisë, transparencën dhe standardet evropiane.


