Ka ngjallur komente të shumta lajmi i medias zyrtare gjermane “Deutsche Welle” që konfirmoi fillimin zyrtar të hetimeve për ish Kryeprokurorin Adriatik Llalla për akuzën e “pastrimit të parave të pista”. Një lajm që u pasua me atë të mundësisë së arrestimit të Adriatik Llallës dhe të refuzimit që i ka bërë Gjermania kërkesë së tij për zgjatjen e kohëqëndrimit të familjes së tij atje.
Pjesë nga shkrimi i “DW”:
Lista me emrat e gjykatësve dhe prokurorëve që do kalojnë në sitën e vettingut është e gjatë, plot 800 syresh. Vetëm 2% ose 17 gjykatës dhe prokurorë dhanë dorëheqjen dhe u vetëpërjashtuan nga drejtesia, para se vettingu të fillonte, duke përfituar nga ligji i vettingut që ua jepte këtë mundësi. Por dorëheqja nuk u jep atyre imunitet për t’i shpëtuar drejtësisë pa i hyrë gjemb në këmbë, nëse kane kryer vepra penale, Drejtësia po tregon se po vepron në bazë të provave dhe fakteve. Rasti më domethënës është ai i ish- Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla, ndaj të cilit Prokuroria ka hapur ҫështje penale për pastrim parash në përmasa të mëdha, edhe pse Llalla deklaroi para se të fillonte vettingu largimin vullnetar nga drejtësia. Atë që nuk e bëri dot organi i akuzës i drejtuar nga Llalla, që erdhi në krye të Prokurorisë në vitin 2012 dhe qëndroi deri në mbyllje të mandatit 5 vjeҫar, më 3 dhjetor 2017, e nisi Departamenti Amerikan i Shtetit. Muajin kaluar ai mori vendimin që ish-kryeprokurori dhe familja e tij të futen në listën e zezë dhe të mos u lejohet hyrja në SHBA “për shkak të përfshirjes së tij në raste të mëdha korrupsioni”.
Fakte dhe dokumenta zyrtare, të botuara në media, kanë bërë transparente për publikun shit-blerje tokash, ullishtesh, në sipërfaqje të mëdha dhe pasurish të paluajtshme që ish-Prokurori i Përgjithshëm i blinte shumë lirë dhe pasi bëhej rivlerësimi i tyre, i shiste 20-30 herë më shtrenjtë. Dokumentat zyrtare flasin për transaksione financiare me persona me precedentë penalë që lidhen me krime të rënda. Hetimi ndaj ish-Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla është një sinjal se për kulturën e pandëshkueshmërisë, të betonizuar në Shqipëri prej më shumë se dy dekadash, po fillon procesi i ҫmontimit. Burime diplomatike në Tiranë, që ndjekin nga afër këtë process thanë për DW se rasti i ish-Prokurorit të Përgjithshëm është vetëm fillimi i kapjes së “peshqve të mëdhenj” që do të ndiqet se shpejti edhe nga raste të tjera.
Disa nga komentet e qytetarëve sot në rrjetet sociale, rreth lajmit kryesor të kësaj të diele:





