Presidenti amerikan, Donald Trump është mashtruar nga një komedian, në një thirrje tallëse që kishte marrë sa ishte në bordin e avionit të Forcave Ajrore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Komediani John Melendez në telefon ishte paraqitur si senatori demokrat Bob Menendez. Ai i tha se kishte folur me dhëndrrin e tij, Jared Kushner, dhe më pas pranoi një telefonatë nga Trump.
E Shtëpia e Bardhë e shtangur nga ky mashtrim, u përpoq të sqarohej.
“Shpeshherë kanalet e komunikimit me presidentin janë të hapura, dhe ndodhin gabime të tilla”, i ka thënë CNN’it një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë, pasi u mor vesh se presidenti ishte mashtruar.
Senatori Menendez është një senator demokrat nga Neë Jersey dhe njëri nga prijësit kryesor të fushatës së gjatë për të bërë reforma në imigracion.
Melendez, i cili në skenë njihet me emrin Stuttering John ka incizuar bisedën e tij me presidentin amerikan,, të cilën më pas e ngarkoi në podkanin e tij.
Në incizimin e publikuar presidenti amerikan Donald Trump fillimisht e përgëzon kinse senatorin Menendez për lirimin e tij nga një rast ryshfeti që kishte ndodhur më 2017.
Gjatë bisedës ata diskutuan edhe çështje të tjera të rëndësishme. Presidenti amerikan dëgjohet duke thënë se brenda një periudhe dhjetë ditore do të emërojë një gjykatës të ri në Gjykatën Supreme.
Kur stafi i Shtëpisë së Bardhë telefonoi zyrën e senatorit Menendez për të diskutuar lidhur me telefonatën që Trump kishte pasur më të, ata kishin mbetur të shokuar, pasi nuk kishin njohuri se një bisedë e tillë ka ndodhur.
Komediani, i cili u tall me presidentin amerikan tha se shumë lehtë plani i tij mund të kishte dështuar.
“Ata nuk më pyetën asgjë. Do të mjaftonte të më thonin se nga cila përkatësi partiake është senatori Menendez, apo senator i cilit shtet është ai, nuk do të dija asgjë”, ka thënë komediani i njohur për CNN.


