Ilir Meta ka dekretuar Edi Ramën si ministër të Jashtëm, pavarësisht se një ditë më parë tha se Kushtetuta nuk shprehet qartë dhe mund të kemi të bëjmë me shkelje ligji.
“Këtu jemi në rastin që kryeministri ka kërkuar të bëhet edhe ministër i Jashtëm.
Pra, nuk jemi në rastin që ministri të bëhet kryeministër apo të marrë ndonjë ministri tjetër, apo ndonjë funksion tjetër.
Duhet të kemi parasysh që Kushtetuta nuk detajon dot çdo gjë, prandaj kemi Kushtetutë, prandaj kemi ligje, pastaj në fund fare kemi edhe Gjykatë Kushtetuese, që vlerëson nëse veprimi është bërë apo jo në përputhje me Kushtetutën.
Kemi edhe Kuvend që shikon dekretin nga ana kushtetuese.
Presidenti ka të drejtën të bëjë interpretimin edhe fillestar të Kushtetutës në një rast të tillë”, deklaroi dje Meta gjate nje interviste në emisionin “Të paekspozuarit” të gazetarit Ylli Rakipi.
Por sot që në mëngjes, ndryshe nga sa thoshte dje në darkë, ka vendosur të dekretojë Ramën si ministër të Jashtëm, ndërkohë që për javë të tëra e mbajti peng këtë proces, duke mos dekretuar shkarkimin e ditmir Bushatit dhe emërimin në vend të tij, të Gent Cakajt.
Njoftim i Presidencës
Presidentit të Republikës më datë 14 janar 2019, i është paraqitur propozimi i ri për emërimin e z. Edi Rama, Kryeministër edhe në funksionin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme.
Emërimi i Kryeministrit edhe në detyrën e Ministrit është një rast i veçantë, që nuk parashikohet dhe as ndalohet nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë.
Presidenti i Republikës vlerësoi këtë propozim në përputhje me frymën që përcjell Kushtetuta dhe jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese, duke bërë një interpretim të zgjeruar dhe fillestartë dispozitave kushtetuese, si dhe duke mbajtur në konsideratë faktin që, ushtrimi i detyrës së Ministrit nga Kryeministri është njëveprimtari shtetërore që shtrihet brenda sferës ekzekutive pjesë e kabinetit qeveritar, struktura e të cilit është në të drejtën e Kryeministrit për t’u propozuar.
Në shqyrtimin e këtij propozimi Presidenti i Republikës, në cilësinë e Kreut të Shtetit, ka mbajtur në konsideratë edhe rëndësinë e evitimit të çdo mundësie për krijimin e një krize institucionale, e cila do të dëmtonte pozitën e Republikës së Shqipërisë në marrëdhëniet ndërkombëtare.
Presidenti i Republikës, në mbështetje të nenit 93 dhe 98 pika 1 të Kushtetutës, sot më datë 18.01.2019, ka vendosur me Dekret që: Z.Ditmir Bushati ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, shkarkohet nga kjo detyrë dhe zoti Edi Rama, Kryeministër, emërohet edhe ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme.