Ervin Salianji ditën e djeshme u dënua me 1 vit burg nga Gjykata e Tiranës për inskenimin e çështjes “Babale”. Ish deputetit të PD-së Ervin Salianji, nuk iu konvertua dënimi në shërbim prove. Sipas vendimit të gjykatës, Salianji do të qëndrojë në një burg të sigurisë së zakonshme.
Albert Veliu ose i njohur si “Babalja” është dënuar me 3.5 vite burg dhe Fredi Alizoti me 2 vite. Gazetari Jetmir Olldashi është dënuar me 6 muaj burg, i cili i është konvertuar në shërbim prove.
Ish-deputeti Ervin Salianji u ngjit shpejt në karrierën politike, brenda partisë demokratike aq sa do ta kishte zili cdo koleg i tij të cilët kanë vite që kontribuojnë për PD.
Por si nisi “aventura” e Salianjit me çështjen “Babale”
Në 14 maj të 2018-s, Ervin Salianji doli në një konferencë për shtyp së bashku me Enkelejd Alibeajn me akuzen se Agron Xhafaj kontrollonte trafikun e hashashit në drejtim të Italisë.
PD akuzonte se Agron Xhafaj kërkohej nga drejtësia italiane për të vuajtur një dënim prej 7 vitesh burg për trafik dhe shpërndarje kokaine.
17 maj, Partia Demokratike publikoi një intervistë me personin që deri në atë kohë quhej “Dëshmitari X”. Intervista zbuloi se identitetin e dëshmitarit X. Ai ishte Albert Veliu, 51 vjeç dhe në intervistën në fjalë i qëndron versionit të Partisë Demokratike se flet në telefon me Agron Xhafajn, ku i kërkonte ta ndihmonte për të kaluar në Itali ca “barishte”. Prokuroria pasi i mori të gjithë personat në pyetje me 20 mars ajo dorëzoi dosjen e plotë. Janë zhvilluar disa seanca deri kur prokuroria i kërkoi gjykatës dënimin me burg të 4 të pandehurve. Finalja ishte dita e djeshme ku Gjykata e Tiranës dënoi me burg Ervin Salianjin.
/AlpeNews.al


