Ariana Haradinaj, vajza e nën kryetarit të OVL-UÇK, Nasim Haradinaj është plagosur në Suedi në mëngjesin e djeshëm.
Ngjarja ka ndodhur para banesës së saj në Helsingborg. Pas dhënies së ndihmës së parë, Ariana është strehuar në një vend të sigurtë nga policia suedeze.
Ende nuk shihen shkaqet dhe kryerësit e këtij akti ndërsa babai i Arianës, Nasimi ka thënë nuk dëshiron të spekullojë në këtë rast dhe se i bën thirrje hetuesisë që të hetojnë rastin.
“Punë e madhe që janë vrarë anëtarët e LDK-së”, ishte deklarata e Nasim Haradinajt, nënkryetar i OVL-UÇK-së, derisa ka folur për vrasjet politike.
E një deklaratë e tillë nxiti reagime të shumta nga vetë Lidhja Demokratike e Kosovës dhe analistë të shumtë.
Reagimi i LDK-së
Pas deklaratës së Haradinajt, kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe kryetarët e Degëve të LDK-së, kanë reaguar ashpër.
“Gjuha e përdorur nga z.Nasim Haradinaj është e papërgjegjshme, e turpshme dhe e pamoralshme dhe ne besojmë se një deklaratë e tillë nuk përfaqëson qëndrimin e këtyre organizatave. Gjithashtu, kërkojmë nga bashkëluftëtarët e z. Haradinaj që të distancohen menjëherë nga deklaratat e tij. Lidhja Demokratike e Kosovës është e vendosur që rastet e vrasjeve të intelektualëve të shquar që ishin pjesë e LDK-së, por edhe të gjitha krimet e kryera në Kosovë, të zbardhen nga organet e drejtësisë”, thuhet në reagimin e LDK-së.
Ndërsa, shefi i GP-së së LDK-së, Avdullah Hoti në një konferencë për media e quajti deklaratë skandaloze, deklaratën e Haradinajt, derisa kërkoi që Qeveria të distancohet nga persona të tillë.
“Është një deklaratë, skandaloze, jashtë etike njerëzore dhe humane, është fyerje për familjarët e të rënëve, unë pres që anëtarët tjerë të kësaj organizate dhe Qeveria të distancohen nga persona të tillë”, tha Hoti.