Këshilltari Ligjor i Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, dhe ish-kryebashkiaku i Nju Jorkut, Rudy Giuliani, tha sot se vendimi i mëparshëm i Trumpit për të anuluar takimin me liderin e Koresë së Veriut, “e detyroi atë të bjerë në gjunjë”, që takimi të riplanifikohet.
Giuliani tha në një konferencë biznesi në Tel Aviv, se takimi ishte anuluar pasi Kim Jong Un kishte fyer nënpresidentin e SHBA-së dhe kërcënoi me luftë bërthamore.
Samiti ishte planifikuar të mbahej më 12 qershor, por pas deklaratave nga zyrtarë të Koresë së Veriut, presidenti Trump kishte anuluar mbajtjen e samitit të dy liderëve. Por zyrtarët e Koresë së Veriut brenda 24 orëve ndryshuan qasje, duke dërguar një delegacion të lartë shtetëror në SHBA, për të biseduar me zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë, përfshirë edhe presidentin Trump, në mënyrë që të arrihet marrëveshja për mbajtjen e Samitit historik.


