Mbledhja e Këshillit Politik për Reformën Zgjedhore, ku i pranishëm është edhe kryeministri Edi Rama, sapo ka filluar.
Siç shihet dhe nga pamjet të gjithë të pranishmit në mbledhje janë të maskuar,duke filluar nga kryeministri te Damian Gjiknuri dhe më pas te përfaqësuesit e tjerë.
Këshilli Politik për Reformën Zgjedhore është mbledhur në orën 11.00, për të diskutuar rreth ndryshimeve kushtetuese të miratuara nga Komisioni i Ligjeve, për hapjen e pjesshme të listave dhe heqjen e koalicioneve parazgjedhore.
Edi Rama është i vetmi nga “të mëdhenjtë” që do të marrë pjesë në tryezën e bisedimeve përveç përfaqësuesve politikë që hartuan marrëveshjen për Zgjedhoren në 5 qershor. Ndërkohë, Presidenti Meta i cili propozoi që këto ndryshime të diskutohen mes palëve në tryezën e Këshillit Politik nuk e ka konfirmuar ende pjesëmarrjen.
Kujtojmë se, Mazhoranca qeverisëse pranoi kërkesën e opozitës parlamentare, e përfaqësuar në Këshillin Politik nga Myslim Murrizi, për hapjen e listave dhe shtoi kërkesën e saj për heqjen e koalicioneve parazgjedhore. Këto ndryshime shkaktuan reagimin e ndërkombëtarëve dhe të vetë opozitës që i cilësoi ato si “përpjekje të kryeministrit Rama për të kapur zgjedhjet e ardhshme”.
Gjithashtu, kreu i demokratëve Lulzim Basha nuk ka zgjedhur të shkojë vet në tryezë por ka dërguar Sekretarin e Partisë Gazment Bardhi, Oerd Bylykbashin dhe Petrit Vasilin e LSI.






