Tre anëtarët e Shoqërisë Civile në garë për t’u bërë pjesë e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, ditën e mërkurë do t’i nënshtrohen dëgjesës publike pranë institucionit të Avokatit të Popullit. Report Tv ka siguruar shkresën e komisionit të Shoqërisë Civile pranë Avokatit të Popullit ku më 18 dhjetor 2017 janë përzgjedhur pas filtrit tre anëtarë mes tyre Alfred Balla, Andi Murataj, Entela Hoxha.
Këshilli i lartë i prokurorisë është hallka e fundit e paplotësuar nga institucionet e reja të drejtësisë, ku më pas do ti hapet rruga vettingut dhe ngritjes së institucioneve si byroja kombëtare e hetimit apo gjykata speciale antikorrupsion njohur si SPAK. Mos ngritja e KLP-së u bë pjesë e debatit publik dhe politik dhe në mbarimin e mandatit të ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla, pasi KLP nëse do të ishte ngritur do kish propozuar emrat për kryeprokurorin e ri.
Vetëm një ditë më parë Llalla u zëvëndësua me kryeprokuroren e përkohshme zonjën Arta Marku e cila do të ushtrojë funksionet e saj deri në krijimin e KLP-s dhe zgjedhjes së kryeprokurorit të ri sipas Kushtetutës ku institucion kryesor është KLP-ja njohur si Këshilli i Lartë i Prokurorisë.
Tre kandidatët e Shoqërisë Civile:
Alfred Balla
Andi Murataj
Entela Hoxha


